Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani ia ka dorëzuar sot familjes së gazetarit Sulejman Gashi Medaljen Presidenciale të Meritave, me të cilën ajo e ka dekoruar Sulejman Gashin, post mortum, shkruan Fol Drejt.
Sipas një njoftimi për media, Osmani theksoi se medalja e ndarë për gazetarin tashmë të ndjerë, Sulejman Gashi, është shprehje e mirënjohjes shtetërore për kontributin e çmuar të tij.
“Në ceremoninë e organizuar sot, në prani të familjarëve dhe të miqve, Presidentja Osmani theksoi se medalja e ndarë për gazetarin tashmë të ndjerë, Sulejman Gashi, është shprehje e mirënjohjes shtetërore për kontributin e çmuar të cilin z. Gashi, si gazetar e aktivist shumëvjeçar e ka dhënë për dhjetëvjetësha të tërë për shpërndarjen gjithandej të së vërtetës së Kosovës. Presidentja Osmani theksoi se z. Gashi ka qenë burim i së vërtetës për Kosovën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe një afirmues i së drejtës së saj për liri”, thuhet në komunikatën për media.
Me këtë rast presidentja ka thënë: “Ai ishte zëri i Kosovës. Ne sot po e institucionalizojmë kujtesën për të duke e dekoruar me Medaljen Presidenciale të Meritave për kontributin shumëvjeçar në pasqyrimin e së vërtetës së Kosovës e për të në arenën ndërkombëtare”.
Familjarët e Gashit, por edhe bashkëpunëtorët e tij të pranishëm në ceremoni shprehën mirënjohje ndaj Presidentes Osmani për kujdesin që po tregon ndaj personaliteteve të cilat kanë kontribuar për lirinë dhe pavarësinë e vendit dhe e falënderuan atë për dekoratën të cilën presidentja ia ka ndarë Gashi.