Turisti bullgar me banim në Britaninë e Madhe, i cili gdhendi emrin e tij dhe të së dashurës në Koloseumin e Romës, i kërkoi falje Italisë dhe botës nëpërmjet një letre, raportojnë mediat, njofton AA.
“E pranoj me turpin më të thellë se vetëm pas asaj që fatkeqësisht ndodhi, mësova për lashtësinë e monumentit”, ka shkruar Ivan Dimitrov në letrën drejtuar prokurorisë së Romës dhe kryetarit Roberto Gualtieri, sipas gazetës “Il Messaggero”.
“I vetëdijshëm për seriozitetin e veprës së kryer, me këto rreshta, dëshiroj t’u drejtoj faljen time më të sinqertë italianëve dhe mbarë botës për dëmin e shkaktuar ndaj një pasurie që në fakt është trashëgimia e gjithë njerëzimit”, shtoi ai.
Dimitrov, i cili shkaktoi reagime pas përhapjes së një videoje ku ai shfaqet duke gdhendur emrat në muret e Koloseumit, përballet me një dënim deri në pesë vjet burg dhe një gjobë prej 16.000 dollarësh pasi u identifikua./FolDrejt/