Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, sot ka raportuar para Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, ku ka theksuar se Kosova tani e ka prioritet anëtarësimin në NATO, shkruan Fol Drejt.
Ministrja Gërvalla tha se ka prioritet anëtarësimin në NATO dhe për këtë pret ndihmë edhe nga partitë opozitare.
“NATO-n e shohim si garantuesin më të madh të paqes në rajon dhe të gjitha gjërat tjera e humbasin kuptimin në momentin që s’kemi paqe të qëndrueshme në rajon, në momentin që përballemi me kërcënime të vazhdueshme dhe në momentin që jetojmë në një fqinjësi mjaft të komplikuar dhe pa zgjidhje të qëndrueshme”, tha Gërvalla gjatë raportimin.
Gërvalla shtoi se për anëtarësim në NATO, Kosova duhet të investojë shumë, megjithatë duhet kryer hapat paraprakë që janë të nevojshëm. Në takime e vëmë në pah rëndësinë që ka për paqen dhe stabilitetin në rajon. Bashkëpunimi rajonal me të cilat merremi, kemi tri marrëveshje të implementuara nga marrëveshja e Berlinit siç janë njohja e diplomave me tri vendet fqinje. Jemi të parët që i kemi ratifikuar këto marrëveshje.
“Një pjesë e madhe e punës gjatë këtij viti do të jetë e fokusuar në anëtarësimin në Këshillin e Evropës ku kemi bërë një progres të mirë deri tani. Presim hapa të tjerë të rëndësishëm me shpresën që anëtarësimi i plotë të jetë çështje muajsh dhe jo çështje vitesh”, tha Gërvalla. /FolDrejt/