Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla ka mbajtur fjalim në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Zëvendëskryeministrja Gërvalla, shpalosi të arriturat dhe vështirësitë, me të cilat përballet Kosova, duke theksuar se shteti ynë ka bërë progres të dukshëm në çështjen e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe përparime të tjera, transmeton Fol Drejt.
Ajo po ashtu u shpreh që ka arsye të jetë optimiste se Kosova do të jetë anëtare e radhës e Këshillit të Evropës dhe se këtë vit do të aplikojnë për anëtarësim në BE.
Gërvalla po ashtu adresoi kritika ndaj Serbisë dhe presidentit Vuçiq, duke përmendur këtu faktin e reagimeve të tij pas vendosjes së reciprocitetit nga ana e Kosovës për letërnjoftime dhe çështjen e targave.
“Më 2011, Serbia është pajtuar për lirinë e qarkullimit, por ajo e vazhdoi edhe për 10 vjet, duke mos i njohur dokumentet tona dhe na detyroi për ta marrë vendimin e reciprocitetit. Ky nuk ishte agresion”.
“Kur Kosova tregoi që do të fillojë reciprocitetin me Serbinë për letërnjoftime, Vuçiq kërcënoi me dhunë. Kërcënimi për stabilitet erdhi nga njëra anë, pra nga Serbia. Kosova vetëm ka insistuar që Serbia t’i qëndrojë marrëveshjes që e ka nënshkruar. Kosova nuk e ka kërcënuar askënd”.
Ministrja Gërvalla po ashtu e përmendi faktin se Vuçiq ishte ministër i propagandës i Sllobodan Millosheviqit gjatë gjenocidit serb në Kosovë dhe se për këtë ai nuk ka kërkuar falje asnjëherë dhe vetëm ka vazhduar t’i përkrahë krimet serbe.
Ajo po ashtu kujtoi fjalë për fjalë edhe deklaratën e famshme të tashmë presidentit serb gjatë vitit 1995, ku në parlament kishte thënë se “për secilin serb të vrarë, ne do t’i vrasim 100 myslimanë”.
“Ky është kërcënim ndaj paqes”, tha gjithashtu ministrja./FolDrejt/