Kryediplomatja e Kosovës Donika Gërvalla është pyetur nga gazetarët për deklaratën e Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, rreth veriut të Kosovës, i cili ndër të tjera e cilësoi veriun e Kosovës si “toka e askujt”, shkruan Fol Drejt.
Ministrja e Punëve të Jashtme u orvat të tregohej e kujdesshme, por ndër të tjera tha se për këtë çështje do të duhej të flisnim më pak:
“Veriu është pjesë e Republikës së Kosovës, një shteti sovran dhe të pavarur dhe Kosova si e tillë është pjesë e bashkësisë ndërkombëtare e njohur nga më shumë se 115 shtete të botës” – ka thënë fillimisht ajo, duke shtuar që sovraniteti i Republikë së Kosovës, “nuk do të duhej të diskutohej nga askush”, madje as nga Serbia, ka thënë ajo.
Më pas është ndalur de deklarata e Ramës, duke thënë se ndonjëherë disa deklarata të habisin, e megjithatë duhet pasur kujdes që të mos interpretohen ato, duke i rrezikuar raportet.
“Ndoshta, të gjithë së bashku, do të duhej të flisnim më pak, dhe të shihnim se si t’i ndihmojmë situatës më shumë” – ka thënë ajo.
Takimi i ministrave të jashtëm të “Procesit të Berlinit”, i cili po mbahet në Tiranë, e ka ballafaquar kryediplomaten e Kosovës edhe me Ivica Daçiqin, homologun e saj serb, praninë e të cilit, nuk e ka komentuar gjatë, por ka thënë se ajo ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare, të mos e lëshojë kësaj radhe Serbinë, pa e ndëshkuar./FolDrejt/