Global Forest Watch (GFW) publikoi një raport ku thuhet se gjatë vitit 2022, mesatarisht 11 fusha futbolli të tokës pyjore janë shkatërruar çdo minutë, raporton Anadolu, transmeton Fol Drejt.
GFW është platformë e monitorimit dhe paralajmërimit të pyjeve në internet e mbështetur nga Instituti Botëror i Burimeve, ndërkaq në raportin e vitit të kaluar ajo deklaroi se komuniteti ndërkombëtar ka ngecur prapa objektivave të Deklaratës së Glasgowit, e cila u nënshkrua në vitin 2021 në Konferencën e 26-të të OKB-së për Ndryshimet Klimatike (COP26).
“A jemi në rrugën e duhur për të ndaluar humbjen e pyjeve deri në vitin 2030? Përgjigjja e shkurtër është thjesht jo”, tha Rod Taylor, drejtor i programit pyjor të Institutit Botëror të Burimeve.
Duke thënë se shpyllëzimi në vitin 2022 është një milion hektarë më shumë se niveli i nevojshëm për të përmbushur objektivat e vitit 2030, Taylor tha se trendi i përkeqësimit vazhdon.
Sipas të dhënave, vitin e kaluar çdo minutë janë shkatërruar sipërfaqe pyjore sa 11 fusha futbolli. Sipërfaqet pyjore të shkatërruara nga prerjet e pyjeve apo zjarret arritën në 4 milionë hektarë.
Brazili prinë për nga shkatërrimet me 1.77 milionë hektarë, i ndjekur nga Republika Demokratike e Kongos me 513 mijë hektarë, Bolivia me 386 mijë hektarë dhe Indonezia me 230 mijë hektarë.