Lista e zezë amerikane është rifreskuar me emrat e njejtë të politikanëve dhe personaliteteve nga Ballkani Perëndimor.
Por në mesin e tyre janë edhe ata nga Maqedonia e Veriut si: kryetari i PDSH-së, Menduh, Thaçi, deputeti I BDI-së Xhevat Ademi, Gafur Adili, Nuri Bexheti, Kastriot Haxhirexha, Xhezair Shaqiri, Nevzat Halili. Por përveç tyre janë edhe 30 shqiptarë të tjerë, kryesisht sot politikanë nga Kosova dhe Shqipëria.
Në listën e ndalesës janë një numër i madh i politikanëve të sotëm, që dikur kanë qenë ish pjesëtarë të ushtrive shqiptare në rajon, UÇK, UÇPMB dhe UÇK-kombëtare, por edhe nga Serbia, Mali i Zi e Bosnja e Hercegovina.
Emergjenca kombëtare në lidhje me Ballkanin Perëndimor ishte shpallur me urdhër ekzekutiv më 26 qershor të vitit 2001. Në një mesazh drejtuar Kongresit, presidenti Donald Trump u kërkon ligjvënësve që ta zgjatin me një vit urdhrin ekzekutiv për situatën në Ballkan.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë shton se rajoni vijon të jetë i destabilizuar gati dy dekada pasi u shpall fillimisht emergjenca kombëtare për rrezikun ballkanas.
Trump: “Ende nuk janë zgjidhur çështjet e sponsorizimit apo mbështetjes së (1) dhunës ekstremiste në ish-republikën e Maqedonisë dhe në gjithë rajonin, (2) zbatimi i marrëveshjes së Dejtonit në Bosnjë dhe rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit për Kosovën, apo hapat për të zbatuar marrëveshjen-kuadër të Ohrit të vitit 2001.”
Presidenti amerikan thekson se aktet e dhunës ekstreme dhe veprimtaritë bllokuese që vërehen në rajonin e Ballkanit Perëndimor kërcënojnë në mënyrë të jashtëzakonshme interesat shtetërore të Amerikës.
Gjendja e emergjencës kombëtare në raport me Ballkanin Perëndimor u firmos nga ish-presidenti Xhorxh Bush me 26 qershor të vitit 2001.
Urdhri origjinal u shoqërua edhe me një listë të personave që mendohet se përmes veprimeve dhe politikave të tyre kanosën rrezikun dhe sigurinë e rajonit, ndaj edhe u është ndaluar udhëtimi apo pronat në SHBA.(Shenja/BotaSot)