Gjatë protestave në Gjeorgji të mbajtura për shkak të propozimit të qeverisë për futjen e ligjit për agjentët e huaj, demonstruesit u përpoqën t’u tregojnë pjesëtarëve të njësisë speciale të policisë se nuk janë kundër tyre dhe se nuk duan dhunë, shkruan Klix, përcjell Fol Drejt.
Në Gjeorgji u mbajtën protesta të mëdha për shkak të propozimit për futjen e ligjit për agjentët e huaj në legjislacionin gjeorgjian. Paraditen e sotme, partia në pushtet “Ëndrra Gjeorgjiane” e ka tërhequr atë ligj nga procedura.
Aktivistët që qëndruan gjatë gjithë natës në rrugët e kryeqytetit të Gjeorgjisë dhe u përballën me një përgjigje brutale të policisë, u përpoqën të tregonin se nuk donin dhunë dhe vendosnin zemrat e bardha te mburojat e policëve.
Megjithatë, pavarësisht mesazheve të paqes dhe thirrjeve për demonstrata paqësore, protesta nuk kaloi pa dhunë. Një nga videot tregon sesi një nga aktivistët iu drejtua policëve dhe pasi u tha “Nuk jemi në luftë me ju” dhjetëra policë e arrestuan.
Gjatë protestave që bllokuan vendin, shumë demonstrues përmbysën makinat e policisë, vendosën barrikada në rrugët kryesore dhe më shumë se 70 persona u arrestuan. Policia u përpoq të shpërndante demonstruesit me topa uji, gaz lotsjellës dhe bomba tymuese.
Protestat nisën mbrëmjen e 7 marsit dhe zgjatën deri në vendimin e sotëm për tërheqjen e ligjit të diskutueshëm. Dhjetëra mijëra njerëz dolën në rrugët e Tbilisit. /FolDrejt/