Pretendohet se janë gjetur një sërë “dokumentesh të reja sekrete” të mbetura që nga periudha e Joe Biden si zëvendëspresident i SHBA-së.
Në lajmin e NBC News të bazuar në “një burim të njohur me çështjen”, thuhet se janë gjetur edhe një sërë “dokumentesh të reja sekrete” shtetërore që nga periudha kur Biden ka kryer detyrën si zv.president gjatë viteve 2009-2017, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
Në lajm thuhet se dokumentet e reja këtë herë u gjetën në një vend të ndryshëm dhe se ekipi i Biden pasi gjeti më 2 nëntor 2022 “dokumentet sekrete” në zyrën e Biden në Qendrën Penn Biden për Diplomaci dhe Angazhim Global në Washington, ka filluar të kërkojë edhe në vende të ndryshme.
Shtëpia e Bardhë nuk iu është përgjigjur pyetjes lidhur me çështjen, theksohet në lajmin ku thuhet se edhe Departamenti i Drejtësisë nuk ka bërë ndonjë koment.
– “Dokumentet sekrete” të gjetura në zyrën e Biden
Richard Sauber, një prej këshilltarëve të Biden, të hënën u shpreh se në zyrën personale të Biden në Qendrën Penn Biden u gjetën “dokumente të pakta sekrete” të cilat kanë mbetur që nga periudha e Biden si zv.president.
Sauber, informoi se dokumentet u gjetën më 2 nëntor 2022 në një “dollap të mbyllur” dhe se avokatët personal të Biden menjëherë sapo u gjetën dokumentet kaluan në kontakt me Shtëpinë e Bardhë dhe me institucionet përkatëse të arkivave kombëtare shtetërore.
Ndërsa Biden ka deklaruar se është “habitur” kur ka dëgjuar që nga zyra e tij janë gjetur dokumente sekrete dhe është shprehur se nuk ka dijeni lidhur me përmbajtjen e dokumenteve.
Sipas zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë, Departamenti i Drejtësisë po vazhdon shqyrtimin e dokumenteve në fjalë./FolDrejt/