Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinion publik se në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, konkretisht Njësinë e Hetimeve të Përgjithshme në Prishtinë dhe institucionet e tjera relevante, në vazhdën e hetimeve, janë siguruar prova shtesë lidhur me rastin e “Rrëmbimit” të Bedri Rexhepit, me ç’ rast është planifikuar që veprimet hetimore të bëhen edhe në terren me qëllim të identifikimit të lokacionit për gjetjen e personit në fjalë.
Gjatë ditës së sotme, prokurori i rastit së bashku me njësitë policore përgjegjëse, Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), kanë dalë në një zonë kodrinore-malore të Novobërdës dhe gjatë verifikimit të terrenit është arritur të identifikohet një lokacion i dyshimtë me të cilën pas gjurmimit nga njësitë përgjegjëse janë gjetur mbetje mortore (të dekompozuara), të cilat dyshohen se kanë të bëjnë me rastin e “Rrëmbimit” dhe të njëjtat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të nevojshme për të konstatuar identitetin e këtyre mbetjeve mortore, transmeton Klan Kosova.
“Prokurori i Shtetit në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera relevante janë duke vazhduar me ndërmarrjen e veprimeve hetimore, andaj lidhur me zhvillimet e tjera rreth këtij rasti do t’iu mbajmë të informuar”.
Kujtojmë se Bedri Rexhepi kishte dalë nga shtëpia me datë 8 prill të vitit 2021 dhe që nga ajo ditë ishte shpallur i zhdukur.
Ndërsa i dyshuari Jeton Vllasaliu e ka pranuar se e ka kryer vrasjen.