Është gjetur kutia e zezë e avionit të udhëtarëve që u rrëzua dje në rajonin Pokhara të Nepalit.
Ekipet e kërkim-shpëtimit kanë arritur të gjejnë në vendin e ngjarjes kutinë e zezë dhe regjistrimet audio të kabinës së pilotit të avionit “ATR 72” të kompanisë ajrore Yeti Airlines, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
Zyrtarët theksuan se kutia e zezë iu dha ushtrisë së Nepalit dhe më pas do t‘i dorëzohet ekipit të hetimit në kryeqytetin Katmandu.
Bëhet e ditur se janë identifikuar 35 nga 68 viktimat që humbën jetën si pasojë e rrëzimit të avionit në të cilin ndodheshin 68 udhëtarë dhe 4 personel ekuipazhi.
Ndërkohë, njoftohet se vazhdojnë punimet e kërkim-shpëtimit për gjetjen e 4 personave që kanë humbur në aksident.
Nuk është përcaktuar ende shkaku i këtij incidenti që është regjistruar si “aksidenti më vdekjeprurës në 30 vitet e fundit në vend”.
Sipas të dhënave të Fondacionit të Sigurisë së Fluturimeve, në Nepal kanë ndodhur 42 aksidente fatale të avionëve që nga viti 1946 e deri më tani.
– U shpall “zi kombëtare”
Avioni i pasagjerëve i tipit “ATR 72” i kompanisë Yeti Airlines, i cili u nis nga kryeqyteti Katmandu në drejtim të Pokhara-s, u rrëzua dje në afërsi të luginës së Lumit Seti.
Në pamjet e transmetuara në televizionin shtetëror shihet se si flaka dhe tymi dilnin nga avioni që u rrëzua në një zonë të pjerrët rrëzë Himalajeve.
Tek Bahadur K.C, një nga zyrtarët administrativë të rajonit Kaski, deklaroi se trupat e 68 personave janë gjetur në aeroplanin që u rrëzua pranë luginës së Lumit Seti, 1,6 kilometër nga Aeroporti Ndërkombëtar i Pokhara-s.
Gjithashtu u njoftua se në vendin e ngjarjes po vazhdonin aktivitetet për nxjerrjen e trupave nga rrënojat.
Në një deklaratë me shkrim nga Agjencia e Aviacionit Civil të Nepalit u bë e ditur se në bord gjendeshin edhe shtetas të huaj, përfshirë pesë indianë, katër rusë dhe dy koreano-jugorë, si dhe shtetas të Irlandës, Australisë, Argjentinës dhe Francës.
Sipas të dhënave të faqes online të monitorimit të trafikut ajror “Flightradar24.com”, avioni 15-vjeçar i tipit “ATR 72” që u rrëzua ishte i pajisur me një “transmetues me të dhëna jo të besueshme”.
Kryeministri Pushpa Kamal Dahal vendosi formimin e një komisioni prej 5 personash për hetimin e aksidentit dhe shpalli për sot “zi kombëtare” në të gjithë vendin./FolDrejt/