“Mina në fjalë është siguruar nga ekipet e SAS-it dhe është nisur ndërhyrja për neutralizimin e saj”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Turqisë
Ministria e Mbrojtjes e Turqisë njoftoi se ekipet e Mbrojtjes Nënujore të Turqisë po neutralizojnë një minë deti të gjetur në brigjet qytezës turke Iğneada pranë kufirit detar bullgar, shkruan AA.
“Në orët e mëngjesit, një minë u zbulua në det të hapur pranë brigjeve të Iğneada, afër kufirit detar bullgar, dhe ekipet e Mbrojtjes Nënujore (SAS) në rajon u transferuan me shpejtësi në vendin e incidentit”, njoftoi ministria në Twitter.
“Mina në fjalë është siguruar nga ekipet e SAS-it dhe është nisur ndërhyrja për neutralizimin e saj”, thuhet në njoftim.
Turqia të shtunën rihapi për qarkullim e anijeve Bosforin, ose ngushticën e Stambollit, pasi e mbylli atë për një kohë të shkurtër për shkak të një mine tjetër të dyshuar.
Ekipet e SAS-it ekzaminuan objektin dhe zbuluan se ishte një minë deti e vjetër dhe e neutralizuan atë, tha Ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Hulusi Akar.
Duke komentuar thashethemet se minat nënujore të vendosura nga Ukraina për të penguar sulmet ruse mund të kalojnë nëpër Detin e Zi, ministri Akar tha se janë njoftuar palët ruse dhe ukrainase dhe se koordinimi është në vazhdim./FolDrejt/