Për emërimin Komandant i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari pranoi urimet nga ministri i Mbrojtjes së Turqisë, Hulusi Akar dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Turqisë, Gjeneral Yasar Guler, transmeton Fol Drejt.
Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, priti në takim me atasheun ushtarak nga Turqia, kolonel Çagdas Akif Kahraman. Me këtë rast, kolonel Kahraman në emër të ministrit të Mbrojtjes së Turqisë, Hulusi Akar, ka uruar Gjeneral Jasharin për marrjen e detyrës së re në postin e Komandantit të FSK-së dhe në mënyrë simbolike i ka dhuruar një pllakë. Në emër të ministrit Akar, kolonel Kahraman theksoi se Turqia, si një vend mik dhe aleat i fuqishëm i Kosovës, sikur deri më tash do të vazhdojë ta ndihmojë dhe mbështesë FSK-në, në të gjitha fushat dhe komponentët, në mënyrë që t’i përmbushë me sukses të plotë synimet e saja.
Gjithashtu, në këtë takim, Gjeneral Jashari pranoi letër urimi nga Shefi i Stafit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Turqisë, Gjeneral Yasar Guler, për emërimin Komandant i FSK-së, duke shprehur gatishëmrinë për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit ushtarak në mes forcave të të dyja vendeve./FolDrejt/