Parlamenti i Gjeorgjisë hodhi poshtë sot një plan legjislativ për “agjentët e huaj” që shkaktoi një krizë politike dhe kërcënoi të pengonte kombin kaukazian të ndërtonte lidhje më të ngushta me Evropën.
Në seancën parlamentare, 35 deputetë nga 36 që votuan, hodhën poshtë në lexim të dytë tekstin që u pranua në lexim të parë të hënën, gjë që solli një valë protestash dhe një sërë dënimesh nga perëndimi, përcjell Fol Drejt.
Partia qeverisëse e Gjeorgjisë Ëndrra Gjeorgjiane tha dje se po braktiste një projektligj për “agjentët e huaj” pas dy netësh protestash të dhunshme kundër asaj që kundërshtarët thonë se është një kthesë autoritare e frymëzuar nga Rusia që kërcënon shpresat e vendit për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian.
Mbrëmë është mbajtur një protestë e re
Pavarësisht këtij njoftimi, mijëra njerëz dolën sërish në rrugët e Tbilisi mbrëmë.
Ligji i propozuar do të detyronte të gjitha organizatat gjeorgjiane që marrin më shumë se 20 për qind të të ardhurave të tyre nga jashtë të regjistrohen si “agjentë të huaj”, përndryshe do të gjobiten.
Ditën e djeshme protestuesit kërkuan një seancë të parlamentit, ku faktikisht do të tërhiqej ligji që kaloi në lexim të parë.
Gjeorgjia, një ish-republikë sovjetike, zyrtarisht dëshiron t’i bashkohet Bashkimit Evropian dhe NATO-s./FolDrejt/