Kancelari gjerman, Olaf Scholz njoftoi se së shpejti do të vizitojë Moskën ku do të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin.
“Gjermania, me të gjithë partnerët e saj në BE, është e angazhuar në mënyrë aktive në përpjekjet për të zgjidhur krizën e Ukrainës”, tha Scholz për transmetuesin publik gjerman ZDF.
Ai theksoi se ka folur me Putinin dhe do të diskutojë çështjen e Ukrainës me presidentin rus gjatë vizitës së tij në Moskë, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“Vizita është planifikuar dhe do të ndodhë së shpejti”, tha Scholz për udhëtimin e tij në Rusi, duke shtuar se fillimisht do të shkojë në SHBA.
Scholz tha se kriza e Ukrainës është në një pikë “shumë serioze” pasi grumbullimi i forcave ushtarake në kufirin e vendit nuk mund të injorohet.
Në pyetjen rreth disa aleatëve që e cilësojnë qëndrimin e Gjermanisë për këtë çështje si “të dyshimtë”, Scholz tha se Berlini ka dhënë kontribute të rëndësishme ushtarake si pjesë e NATO-s dhe ka ofruar mbështetje të jashtëzakonshme për Ukrainën.
Ukraina dhe Rusia janë përfshirë në konflikt që nga shpërthimi i armiqësive në rajonin e Donbasit në vitin 2014 pasi Rusia aneksoi ilegalisht Gadishullin e Krimesë.
Rusia gjithashtu ka grumbulluar kohët e fundit dhjetëra mijëra trupa pranë kufirit të Ukrainës, duke shkaktuar frikën se Kremlini mund të planifikojë një tjetër ofensivë ushtarake kundër ish-republikës sovjetike.
Moska ka mohuar se po përgatitet për invazion dhe tha se trupat e saj janë atje për stërvitje.