Policia gjermane ka arrestuar dy ushtarakë amerikanë të dyshuar se kanë vrarë me thikë një vendas, konfirmuan zyrtarët të dielën, raporton Anadolu, transmeton Fol Drejt.
Incidenti ndodhi të shtunën në mbrëmje pas përleshjes që shpërtheu në një panair argëtimi në qytetin perëndimor të Wittlich, njoftoi Departamenti i Hetimit Kriminal të Trierit në faqen e saj zyrtare.
Mediat vendase raportojnë se viktima 28-vjeçar ishte duke shkuar për në shtëpi, kur shpërtheu sherri dhe është goditur me thikë pranë derës së hyrjes. Ai ishte menaxher i një shërbimi sigurie dhe njihej si mjeshtër i arteve marciale në Wittlich.
Dy ushtarakët ishin me dy persona të tjerë në panair dhe të katër u larguan nga vendi i ngjarjes pas goditjes me thikë.
Policia në faqen e saj tha se dyshimet ndaj dy të dyshuarve janë vërtetuar.
Prokuroria e Trierit ua ka dorëzuar çështjen prokurorëve amerikanë në përputhje me statutin e NATO-s. Tani ajo po trajtohet nga Zyra e Hetimeve Speciale në bazën ajrore amerikane Spangdahlem, që ndodhet jo shumë larg Wittlich.
Të arrestuarit u dorëzuan mesditën e së dielës, kurse detaje të tjera ende nuk janë bërë të ditura.
Kryebashkiaku i Wittlich, Joachim Rodenkirch, tha në një fjalim në sheshin e tregut se ishte “i tmerruar dhe tmerrësisht i pikëlluar nga vdekja brutale e një të riu” dhe i shprehu ngushëllimet familjes së tij, raportoi Sputnik news.
Incidenti ka hedhur një hije mbi panairin tradicional të argëtimit në Wittlich, i cili gjithashtu tërheq vizitorë edhe nga rajoni.