Pas Bundestagut dhe Këshilli Federal (Bundesrat) miratoi kërkesën e qeverisë për lehtësimin e masave për personat e vaksinuar dhe të shëruar nga koronavirusi, që do të thotë se për këta persona hiqet e ashtuquajtura frena emergjente.
Dhoma e landeve dha dritën jeshile për rregulloren federale, e cila mund të hyjë në fuqi gjatë fundjavës. Argumenti kryesor i qeverisë është se, sipas Institutit Robert Koch (RKI), këto grupe njerëzish nuk paraqesin më rrezik për infektimet dhe përhapjen e koronavirusit.
Maskat dhe distanca mbeten
Këta persona nuk duhet të futen në karantinë pas udhëtimit – përveç nëse vijnë nga një zonë e mutantëve të koronavirusit. Detyrimi për të mbajtur maskë në vende të caktuara dhe kërkesa për distancë në hapësirat publike duhet të vazhdojnë të zbatohen. Pandemia ende vazhdon dhe ende ekziston një rrezik individual i infektimit edhe për personat e vaksinuar dhe të shëruar nga Covid-19.
Është shumë mirë që të vaksinuarit dhe të shëruarit mund të gëzojnë një pjesë të lirive të mëparshme dhe t’i kthehen pak a shumë jetës normale, tha Dedy. “Por shoqëria nuk duhet të ndahet në të vaksinuarit dhe shëruarit në njërën anë ndërsa të gjithë të tjerët në anën tjetër”, paralajmëroi ai. Prandaj do të ishte e mençur që atyre që testohen negativisht në baza ditore t’u mundësohen më shumë kontakte sociale dhe takime me familjarë.
Në Republikën Federale të Gjermanisë deri tani janë vaksinuar njëherë 30,6 për qind e popullatës, njofton Instituti RKI. Ndërsa 8.6 për qind janë vaksinuar dy herë, që do të thotë se kanë një mbrojtje të plotë. Të mërkurën janë dhënë në Gjermani 1.1 milion vaksina. Ministri i Shëndetësisë Jens Spahn tha se prej fillimit të fushatës së vaksinimit në Gjermani, kjo ishte dita e dytë për nga numri i vaksinimeve.
Numri i infektimeve të reja në Gjermani vazhdon të ulet në krahasim me një javë më parë. RKI njofton se në 24 orët e fundit janë regjistruar 18,485 infektime të reja, që është 5,800 raste më pak se një javë më parë. Incidenca shtatë ditore ka rënë në 125,7, ndërsa një ditë më parë ishte 129,1. Këto incidenca maten në 100.000 banorë brenda shtatë ditëve të fundit.