Sipas një raporti të përbashkët të përgatitur nga pesë institute gjermane, ndërprerja e menjëhershme e furnizimit me gaz natyror rus do të rrezikonte 220 miliardë euro humbje në prodhimin ekonomik të Gjermanisë për vitet 2022 dhe 2023, ekuivalente me më shumë se 6,5 për qind të prodhimit të saj vjetor ekonomik.
“Ekonomia gjermane po kalon nëpër ujëra të vështira dhe po përballet me normat më të larta të inflacionit në dekada”, thuhet në raport, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Raporti uli parashikimin e rritjes ekonomike të Gjermanisë për vitin 2022 nga 4,8 për qind në 2,7 për qind dhe vlerësoi se në vitin 2023 ekonomia më e madhe e Evropës do të rritet për 3,1 për qind.
Nëse furnizimi me energji do të ndalonte në mënyrë të papritur, sipas raportit ekonomia e Gjermanisë këtë vit pritet të rritet vetëm 1,9 për qind.
“Valët goditëse nga lufta në Ukrainë po rëndojnë aktivitetin ekonomik si në anën e ofertës ashtu edhe në atë të kërkesës”, tha në raport Stefan Kooths, zv/kryetar dhe drejtor hulumtues i ciklit të biznesit dhe zhvillimit në institutin IfW Kiel.
Kooths theksoi rritja e çmimeve të mallrave kritike të energjisë pas pushtimit rus shtyn më tej presionin rritës mbi çmimet.
“Zbehja graduale e kufizimeve të pandemisë po mbështet sektorët e shërbimeve, ndërkohë që pengesat e vazhdueshme të zinxhirit të furnizimit në vazhdën e krizës COVID-19 akoma janë shqetësuese në prodhimin e industrisë përpunuese”, tha ai.
Raporti i parashikimit të përbashkët ekonomik u përgatit nga Instituti Gjerman për Hulumtime Ekonomike (DIW Berlin), Instituti ifo (Mynih), Instituti për Ekonominë Botërore në Kiel (IfW Kiel), si dhe nga institutet për hulumtime ekonomike në Halle (IWH) dhe në Essen (RWH)./FolDrejt/