Pasi disa qytete gjermane dëshmuan episode të demonstratave anti Izraelit në vazhdën e ringjalljes së konfliktit midis Izraelit dhe Gazës, qeveria dënoi me forcë protestat antisemite dhe u zotua të rrisë mbrojtjen për institucionet hebreje.
Zëdhënësi i qeverisë Steffen Seibert theksoi se ”demonstrata paqësore kundër politikës Izraelite lejohen në Gjermani, por kushdo që përdor protesta të tilla për të nxitur urrejtjen e tyre ndaj hebrenjve po abuzon me të drejtën për të protestuar dhe demonstratat antisemite nuk do të tolerohen nga demokracia jonë”, raporton ATSh.
”Ata që protestojnë para një sinagoge dhe dëmtojnë simbolet hebraike nuk kritikojnë një shtet, por tregojnë agresion dhe urrejtje kundër një feje dhe atyre që i përkasin asaj”, tha Seibert.
Ditët e fundit, policia ka ndërhyrë në demonstrata anti-Izraelite dhe ka forcuar praninë e saj në sinagogat në të gjithë vendin pas disa rasteve të vandalizmit dhe djegies së flamujve izraelitë.