Njësia e Deminimit të FSK-së ka pranuar një donacion me pajisje të deminimit nga ana e Shefit të Mbrojtjes të Ushtrisë Gjermane, gjeneral Eberhard Zorn.
Kështu ka bërë të ditur ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, Armend Mehaj me anë të një postimi në Facebook.
Mehaj ka bërë me dije se në takim me Shefin gjerman ka biseduar rreth fushave specifike ku mund të rritet bashkëpunimi, me theks të veçantë në logjistikë, në fushën e mjekësisë, dhe trajnime të përbashkëta që do shërbejnë për ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe operacionale të ushtarakëve.
“Gjeneralin e njoftova rreth aktiviteteve që FSK është duke zhvilluar përsa i përket përgatitjeve për Defender ’23, si shtet nikoqir i këtij ushtrimi fushor, por gjithashtu dhe për gatishmërinë që kemi shprehur për ofruar trajnime për ushtarakët ukrainas.
Mes të tjerash gjeneralit i ofrova bashkëpunim në fushën e shkëmbimit të informacioneve, dhe në zhvillimin e ushtrimeve të përbashkëta në terrenet tashmë të shpronësuara në hapësirën e ish-Aeroportit të Gjakovës, në Cernushë dhe Babaj të Bokës.
Edhe një herë shpreha rëndësinë e investimit të kompanive gjermane në industrinë e mbrojtjes në Republikën e Kosovës, dhe synimin që ne si ushtri dhe si shtet kemi për tu anëtarësuar në NATO dhe BE”, është shprehur Mehaj./FolDrejt/