Ministria e Ekonomisë së Gjermanisë ka kërkuar vendosjen e rregullave më të rrepta ndaj Twitter-it.
Në lajmet që media gjermane i bazon në një letër që sekretari i Ministrisë së Ekonomisë, Sven Giegold i ka shkruar Komisionit Evropian, thuhet se rregullimet e fundit në Twitter, ndryshimet e papritura dhe zbatimet arbitrare po ndiqen me një shqetësim të madh, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Në letrën e dërguar ndaj komisioneres së BE-së për konkurrencën, Margrethe Vestager dhe komisionerit të BE-së për tregun e brendshëm, Thierry Breton, kërkohet që BE-ja të kryejë sa më parë shqyrtimet e nevojshme për përcaktimin e një “moduli të kontrollit” ose “ruajtësi pragu” për Twitter-in.
Në letrën e Giegold thuhet se “Termat dhe kushtet që ndryshojnë pothuajse çdo orë, arsyet e parregullta për kufizime gjithëpërfshirëse që vendosen për lidhjen dhe bllokimi i llogarive të gazetarëve jo vetëm që kërcënojnë lirinë e konkurrencës, por përbëjnë rrezik për demokracinë, lirinë e shprehjes, lirinë e informacionit dhe lirinë e shtypit”.
Kreu i Komisionit të Monopolit në Gjermani, Jürgen Kühling në një deklaratë për gazetën “Handelsblatt” tha se “Sjelljet jashtëzakonisht shqetësuese të Elon Musk dhe kompanisë Twitter në ditët e fundit janë burim i një shqetësimi të madh. Platforma të tilla si Twitter mbartin një rëndësi aq të madhe për demokracinë sa që nuk mund të kontrollohen me rregulla arbitrare”.
Ministria e Jashtme gjermane, ditë më parë reagoi ndaj Twitter-it për pezullimin e llogarive të disa gazetarëve, përfshirë gazetarë të The New York Times, Washington Post, CNN dhe Zërit të Amerikës./FolDrejt/