Ministri i Drejtësisë i Gjermanisë, Marco Buschmann, ka deklaruar se sulmet e Rusisë ndaj infrastrukturës së ngrohjes dhe energjisë elektrike përbëjnë “krime lufte”.
Duke folur me gazetarët pas një takimi të ministrave të drejtësisë së vendeve të G7-tës në Berlin, Buschmann tha se Rusia po përpiqet të përdorë dimrin si “armë lufte” kundër Ukrainës, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“Ne të gjithë pajtohemi se krime të tmerrshme të luftës po kryhen në Ukrainë, komuniteti ndërkombëtar dënon këtë luftë dhe mënyrën se si ajo po zhvillohet, në termat më të fuqishëm të mundshëm”, tha ai.
Buschmann akuzoi Rusinë se ka sulmuar “qëllimisht dhe sistematikisht” infrastrukturën civile në Ukrainë, duke shkatërruar sistemet e ngrohjes dhe të energjisë elektrike dhe duke i lënë njerëzit në një situatë të dëshpëruar mes temperaturave të ftohta.
“Ky aksion ushtarak kundër popullatës civile është i urryer dhe ne e dënojmë këtë në termat më të ashpër të mundshëm”, theksoi ai.
Buschmann tha se ministri ukrainas i Drejtësisë, Denys Maliuska dhe prokurori i përgjithshëm ukrainas, Andriy Kostin, gjithashtu ndoqën takimet e G7-tës, ku diskutuan me kolegët mënyrat për të përmirësuar hetimet për krimet e luftës të kryera në Ukrainë dhe për të sjellë kriminelët e luftës para drejtësisë.
G7-ta është një forum jozyrtar i shtatë vendeve kryesore industriale, duke përfshirë Gjermaninë, Kanadanë, Francën, Italinë, Japoninë, Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA-në. Këtë vit presidencën e grupin e mban Gjermania./FolDrejt/