Të mërkurën Qeveria gjermane tha se ka ndaluar tri grupe të lidhura me Hezbollahut, lëvizjes libaneze që kundërshton Izraelin.
Policia gjermane kreu një operacion në shtatë rajone. Ministri i Brendshëm, Horst Seehofer tha se “grupet financonin organizatën terroriste Hezbollah”.
Hezbollah është shpallur grup terrorist nga Izraeli dhe pjesa më e madhe e Perëndimit. Më 23 qershor 2020, edhe Qeveria e Kosovës, kishte shpallur si organizatë terroriste, grupin militant të Libanit, Hezbollah, përfshirë të gjitha formacionet e saj, si politike ashtu edhe ato ushtarake.
Grupi militant u themelua në vitet 1980 për të luftuar pushtimin e Libanit jugor nga ana e Izraelit.
Ky grup gëzon mbështetjen e Iranit dhe ka shtrirë aktivitetin e tij në Siri, Irak dhe Jemen. Hezbollahu tani ka një arsenal më të fuqishëm se ushtria kombëtare libaneze.
Autoritetet gjermane janë të shqetësuara edhe për një rritje të antisemitizmit. Javën e kaluar, flamujt izraelitë u dogjën para sinagogave në Bon dhe Muenster.
“Demokracia jonë nuk do të tolerojë demonstrata antisemite”, kishte thënë zëdhënësi i kancelares gjermane, Angela Merkel. Vitin e kaluar, Gjermania ka njoftuar se ka ndaluar aktivitetet e krahut politik të Hezbollahut në Gjermani. Masa u mirëprit nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli.
Sipas vlerësimeve të organeve të sigurisë gjermane, në këtë vend janë rreth 1.000 mbështetës të Hezbollahut.