Gjermania do t’i japë fund procesit të priorizimit për vaksinat më së voni deri në qershor. Sidoqoftë kjo “nuk do të thotë se të gjithë mund të vaksinohen menjëherë” – tha kancelarja Angela Merkel.
Gjermania do të heqë dorë deri në qershor nga vendosja e përparësive për vaksinimin sipas grupmoshave, tha kancelarja Angela Merkel pasi diskutoi të hënën me krerët e 16 landeve të Gjermanisë.
“Kjo nuk do të thotë që të gjithë mund të vaksinohen menjëherë,” tha Merkel. “Por që të gjithë mund të zënë radhën duke u regjistruar tek qendrat e vaksinimit për t’u vaksinuar sipas mundësisë së furnizimeve,” shtoi kancelarja.
Merkel gjithashtu paralajmëroi që Gjermania mund të përballet me një debat të vështirë shoqëror, sepse pjesa e popullsisë që vaksinohet mund të kërkojë më shumë liri.
“Ne do të hyjmë në një fazë tranzicioni që nuk do të jetë e lehtë”, paralajmëroi kancelarja, “dhe duhet ta trajtojmë këtë çështje me shumë ndjeshmëri”.
Përpjekje për të zbutuar masat për të vaksinuarit
Kancelarja tha se qeveria gjermane po shqyrton mundësinë e zbutjes së masave për personat që janë vaksinuar plotësisht kundër COVID-19. Duke cituar një studim të Institutit zyrtar për Epidemiologjinë Robert Koch, Merkel tha se personat e vaksinuar plotësisht dhe ata që janë shëruar nga korona “nuk përbëjnë më rrezik të madh infeksioni”.