Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka deklaruar se qeveria e vendit të tij po ndërmerr të gjitha masat e nevojshme për të garantuar sigurinë energjetike të vendit.
Duke folur në një konferencë të përbashkët për media në Berlin me kryeministrin e Mongolisë, Luvsannamsrain Oyun-Erdene, kancelari Scholz tha se objektet gjermane të maganizimit të gazit tani janë të mbushura mbi 95 për qind, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“Ne kemi vendosur të rrisim opsionet e importit nëpërmjet porteve të Evropës Perëndimore, nga Holanda dhe Belgjika, dhe tani kanë filluar edhe importet nga Franca”, tha Scholz.
Ai theksoi se po punohet për ndërtimin e terminaleve të gazit natyror të lëngshëm (LNG) në portet veriore gjermane Brunsbuttel, Wilhelmshaven, Stade dhe Lubmin, të cilat do të ndihmojnë vendin në zgjerimin e burimeve të furnizimit me gaz natyror.
Planet e zgjerimit bërthamor
Më tej, Scholz tha se qeveria po planifikon të mbajë në punë centralet e fundit bërthamor të vendit që funksionojnë gjatë muajve të dimrit, duke shtuar se ai beson se partitë e koalicionit do të marrin një vendim deri javën e ardhshme.
Koalicioni i udhëhequr nga social-demokratët e kancelarit Scholz deri më tani nuk ka mundur të finalizojë planin për shkak të mosmarrëveshjeve midis ambientalistëve ‘Të Gjelbrit’ dhe liberalëve të Demokratëve të Lirë (FDP).
FDP-ja dëshiron që tre centralet e fundit bërthamor të vendit të vazhdojnë të funksionojnë deri në vitin 2024, por ‘Të Gjelbrit’ po mbështesin vetëm zgjatjen e dy centraleve bërthamore deri në mes të muajit prill dhe gjithashtu kundërshtojnë blerjen e shufrave të reja të karburantit.
Në vitin 2011, Gjermania vendosi të ndalojë përdorimin e energjisë bërthamore, pas katastrofës Fukushima në Japoni, ndërsa termocentralet e saj të fundit bërthamor ishte planifikuar të mbyllen deri në fund të këtij viti.
Një vendim përfundimtar mbi planin e zgjerimit bërthamor duhet të merret nga parlamenti gjerman./FolDrejt/