Një gjykatë gjermane ka refuzuar ekstradimin e një shqiptari në Mbretëri të Bashkuar për shkak të shqetësimeve për kushtet e burgut në Britani,
Vendimi i Gjykatës së Lartë Rajonale të Karlsruhes (OLG) u mor në fillim të këtij viti, por u bë publik në muajin gusht. Avokati që përfaqësoi shqiptarin në gjykatë, Jan-Carl Janssen, tha për revistën gjermane ‘Legal Tribune Online’ (LTO) se ky është vendimi i parë i tillë në Gjermani.
Rasti i vendosur nga gjykata përfshinte një shqiptar që jetonte në Britani. Policia e akuzoi atë për trafik droge në shkallë të gjerë, që përfshin 5 kilogramë kokainë. Ai gjithashtu pretendohej se kishte pastruar para në vlerë prej 384 mijë eurosh.
Urdhër arresti ndaj tij ishte lëshuar nga Gjykata e Magjistraturës në Westminster.
Shqiptari kishte ardhur në Gjermani sepse e fejuara e tij jetonte këtu dhe ishte e sëmuar rëndë. Bazuar në një njoftim të kuq nga Interpol, policia gjermane e arrestoi atë përkohësisht më 28 dhjetor të vitit të kaluar dhe ai përfundoi në paraburgim ekstradimi.
Sipas LTO-së, Janssen theksoi dobësitë në sistemin britanik të burgjeve në gjykatë. Sipas tij, këto janë mbipopullimi kronik, mungesa e stafit dhe dhuna midis të burgosurve. Ai i shkroi gjykatës se qendrat e ndalimit pjesërisht janë nga epoka viktoriane në shekullin e 19-të dhe qelitë pjesërisht janë shumë të vogla, shumë të errëta dhe të ajrosura në mënyrë jo të duhur.
Gjykata kërkoi garanci nga pala britanike se do të përmbushen standardet minimale në përputhje me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Gjithashtu pala britanike duhet të informojë gjykatën se në cilat burgje do të mbahet shqiptari dhe si do të jenë kushtet e ndalimit të tij atje.
Meqenëse Mbretëria e Bashkuar nuk është anëtare e Bashkimit Evropian (BE), rregullat e Urdhër Arrestimit Evropian nuk zbatohen më në këtë vend, por zbatohet Marrëveshja e Tregtisë dhe Bashkëpunimit (TCA) e arritur ndërmjet BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar në vitin 2020. Sipas kësaj marrëveshje, ekzekutimi i një urdhër arresti në bazë të TCA-së mund të bëhet subjekt i kushteve.
Në ditën e fundit të afatit të caktuar nga gjykata, sipas LTO-së, një postë elektronike mbërriti nga një stacion i policisë në Manchester, që lartësonte më tepër shqetësimet e gjykatës. Posta elektronike nuk përmendi asnjë garanci, por në vend të kësaj deklaronte se Britania po krijon 20 mijë vende të reja ndalimi për të tejkaluar mbipopullimin.
Letra nga Manchesteri gjithashtu nuk jepte informacion specifik mbi vendndodhjen e planifikuar të objektit të paraburgimit, duke theksuar se burgu u parë ka të ngjarë të vendoset në Londrën e Madhe. Janssen më pas i tha gjykatës se Londra e Madhe është gjithashtu shtëpia e burgut ‘Wandsworth’, i cili është i mbipopulluar me 160 për qind.
Pasi autoritetet britanike nuk iu përgjigjën kërkesave të mëtejshme të gjykatës gjermane, pas skadimit të afatit të dytë u vendos se ekstradimi i shqiptarit në Mbretërinë e Bashkuar ishte “për momentin i papranueshëm”. Më pas, burri i akuzuar u la i lirë.
“Kjo qeveri po bën më shumë se kurrë më parë për të siguruar burgje të sigurta që rehabilitojnë shkelësit, reduktojnë krimin dhe mbrojnë publikun”, tha për gazetën ‘Guardian’ një zëdhënëse e Ministrisë së Drejtësisë së Mbretërisë së Bashkuar.