Instituti “Robert Koch” ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit në Gjermani janë shënuar 141 viktima të reja të koronavirusit dhe 6 mijë e 82 raste të reja të infektimeve.
Numri i ri i të infektuarve për 24 orë shënoi rënie, sepse një ditë më parë ishin konfirmuar 6174 raste të reja. Kjo mund të jetë shenjë se përhapja e virusit të ri ka filluar të ngadalësohet. Megjithatë, qeverita tha se është shumë herët për ta përcaktuar ritmin e përhapjes.
Kështu, shifra e përgjithshme e të infektuarve shkoi në 85 mijë e 778 persona, ndërsa numri i personave të vdekur në 1158, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.
Kryetari i këtij instituti, Lothar Wieler, tha të premten në mbrëmje se shkalla e infeksioneve të reja është vendosur nën kontroll falë masave gjithëpërfshirëse për ta parandaluar grumbullimin e njerëzve në hapësira publike ose në vendet e punës.
Gjermania është një ndër shtetet me më së shumti raste të koronavirusit në Evropë, por dallohet me përqindje të ulët të vdekshmërisë.
Qeveria gjermane ka marrë masa të gjera për luftimin e pandemisë, përfshirë mbylljen e kufijve, ndalimin e tubimeve dhe ofrimin e pakove financiare për bizneset e prekura.