Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Hebestreit, shprehu zhgënjimin për rezultatin e konferencës së OKB-së për klimën COP27 të mbajtur më 6-18 nëntor në qytetin turistik egjiptian Sharm el-Sheikh.
“Rezultatet e Konferencës Botërore të Klimës së këtij viti, veçanërisht në fushën e reduktimit të gazit serrë, nuk i përmbushën pritshmëritë tona. Mendoj se duhet ta themi qartë këtë. Ne kemi bërë shumë përpjekje për të, por rezultati është ky që është”, tha Hebestreit dje gjatë konferencës javore për shtyp të qeverisë në Berlin, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Hebestreit përsëriti deklaratat e mëparshme të zv/kancelarit Robert Habeck, i cili i cilësoi rezultatet e samitit të klimës si “të pamjaftueshme”.
“Konferenca e vështirë për klimën ka marrë fund, me një rezultat që nuk mund të na bëjë vërtet të kënaqur”, tha Habeck për gazetat e grupit mediatik Funke me qendër në Gjermani.
Ndërkohë, ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, e cila është përgjegjëse për politikën ndërkombëtare të klimës, u ankua për “bllokim nga disa vende të mëdha emetuese dhe prodhuese të naftës”.
Vetëm koalicioni qeveritar i qendrës së majtë e vlerësoi si përparim marrëveshjen për themelimin e një fondi, përmes të cilit vendet e varfra duhet të marrin pagesa kompensimi në rast të dëmeve të lidhura me klimën.
Krahas fondit për vendet e varfra, delegatët vendosën për një program pune për reduktimin më të shpejtë të gazeve serrë, por kjo ishte jashtë pritshmërive të vendeve evropiane./FolDrejt/