Qeveria Federale e Gjermanisë është duke shqyrtuar kërkesën e bërë nga ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, për të lejuar qarkullimin e shtetasve kosovarë me pasaporta të skaduara.
Sveçla e bëri këtë kërkesë për Gjermaninë më 6 janar, pasi Kosova tash e sa muaj ka telashe me sigurimin e materialit të nevojshëm për prodhimin e pasaportave.
Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se e kanë pranuar këtë kërkesë.
“Kërkesa aktualisht është duke u shqyrtuar nga Ministria Federale e Brendshme”, thuhet në përgjigjen e ambasadës.
Nga Ambasada gjermane kanë shtuar se kërkesa e Sveçlës është kufizuar “në lejimin e rihyrjes në Gjermani për shtetasit kosovarë që jetojnë në Gjermani me leje qëndrimi të vlefshme, dhe foshnjat me shtetësi kosovare që kanë lindur në Gjermani dhe ende nuk u është lëshuar pasaporta e Kosovës”.
Radio Evropa e Lirë të martën publikoi rrëfimet e qytetarëve kosovarë që janë përballur me probleme të shumta në muajt e fundit në planet e tyre për udhëtim, për shkak se Agjencia për Regjistrim Civil nuk ka lëshuar pasaporta, përveç për raste urgjente.
Nora Fetoshi, zëdhënëse në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës, ka thënë se kompania e kontraktuar nga Qeveria për furnizim me materialin, me të cilin prodhohen pasaportat, nuk ka arritur ta sigurojë këtë material.
“Si shumë shtete të tjera, edhe ne po përballemi me vështirësi të furnizimit me materiale, vështirësi këto që i ka shkaktuar kriza globale si dhe pandemia me COVID-19”, ka thënë Fetoshi për Radion Evropa e Lirë.
Më 10 janar, MPB-ja ka bërë të ditur se deri në fund të këtij muaji pritet të rikthehet furnizimi me material për prodhimin e pasaportave.
Në këtë njoftim, MPB-ja ka thënë se “shpreh keqardhje për situatën e krijuar dhe kërkon mirëkuptim nga të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, deri në zgjidhjen e kësaj çështjeje”./REL/