Gjermania ka thirrur një takim të ministrave të jashtëm të G7 në lidhje me sulmet më të fundit raketore ruse në infrastrukturën energjetike të Ukrainës, raporton Ukrinform, përcjell Fol Drejt.
Këtë e ka bërë të ditur ministrja e Punëve të Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë, Annalena Baerbock përmes një postimi në rrjetin social Twitter.
“Javën e ardhshme, si vendi që kryeson G7, ne do të ftojmë partnerë të tjerë në nivelin e ministrave të jashtëm në një takim në Bukuresht për të iniciuar mbështetjen e mëtejshme për furnizimin e Ukrainës me energji,” shkroi Baerbock.
Ajo i quajti sulmet e Rusisë ndaj infrastrukturës civile “një krim të patolerueshëm, çnjerëzor”. Sipas ministres, Putini po përpiqet të zhysë popullin e Ukrainës në të ftohtë dhe errësirë. “Ai kurrë nuk do ta thyejë dëshirën e tyre për liri dhe mbështetjen tonë”, tha drejtuesja e Ministrisë së Jashtme gjermane.
Gjermania do të kryesojë grupin G7 gjatë gjithë vitit 2022.
Në datat 29-30 nëntor në Bukuresht të Rumanisë do të mbahet një takim i Këshillit të Atlantikut të Veriut në nivel të ministrave të jashtëm. Ai do të kryesohet nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. /FolDrejt/