Gjermania i vlerësoi si “shqetësuese” raportet e fundit për përleshjet kufitare midis trupave kineze dhe indiane.
“Provokime të tilla duhet të shmangen. Çështjet e diskutueshme duhet të zgjidhen miqësisht nga të dyja palët me bisedime dypalëshe”, tha sot Burger, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme gjermane, në një konferencë javore për media në Berlin, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Megjithatë, Burger mirëpriti përpjekjet diplomatike kineze dhe indiane për të ulur përshkallëzimin e konfliktit kufitar.
“Pozitive është që u vendosën menjëherë kontaktet nga të dyja palët, gjë që parandaloi përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës”, tha ai.
Trupat kineze dhe indiane janë përleshur në rajonin e diskutueshëm kufitar të Himalajeve për herë të parë në më shumë se dy vjet, ku raportohet për dhjetëra të plagosur.
Të paktën 20 ushtarë indianë u plagosën në përleshjet e 9 dhjetorit në sektorin Tawang të Arunachal Pradesh, tha ushtria indiane të martën.
Përplasja kufitare ishte më e rënda që nga qershori 2020, kur të paktën 24 ushtarë u vranë në përleshjet e dhunshme./FolDrejt/