Me përfundimin e negociatave ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Gjermanisë për bashkëpunim zhvillimor, pala gjermane është zotuar që do ta vazhdojë mbështetjen financiare ndaj Kosovës në vlerë prej 37 milionë euro për periudhën 2022-2023. Me këtë zotim, mbështetja gjermane për bashkëpunim zhvillimor arrin shumën prej 64.42 milionë euro që nga dhjetori 2020, kur edhe janë mbajtur negociatat e fundit qeveritare.
Duke u pajtuar për intensifikim të mëtejshëm të bashkëpunimit zhvillimor, Kosova dhe Gjermania do t’i adresojnë së bashku sfidat kryesore të së ardhmes. Prioritetet e bashkëpunimit zhvillimor përfshijnë: zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, trajnimin dhe punësimin, ndryshimet klimatike dhe energjinë, tranzicionin e drejtë dhe qeverisjen e mirë, transmeton Fol Drejt.
Ambasadori Rohde u shpreh se “sot të dyja vendet tona po hapin një kapitull të ri të partneritetit tonë të palëkundur për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Kosovës në përputhje me Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane dhe Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor. Me këtë ne mbështesim Kosovën në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.”
Marrëveshja e bashkëpunimit gjermano-kosovarë synon nxitjen e aftësimit profesional dhe arsimor, si dhe krijimin e vendeve të reja të punës si bazë për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Theks i veçantë i është kushtuar edhe investimeve të mëtejme në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren (ITP), si projekti kryesor i bashkëpunimit zhvillimor gjermano-kosovarë. Në lidhje me politikat energjetike, sektori publik dhe privat, si dhe shoqëria civile, do të marrin mbështetje në zbatimin e Strategjisë Kombëtare të Energjisë 2022-2031 dhe Planit Kombëtar të Energjisë dhe Klimës (NECP). Gjithashtu, fonde të konsiderueshme do të ndahen përmes investimeve në infrastruktu`rën e ujërave të zeza, duke synuar mbrojtjen e burimeve ujore nëntokësore dhe lumenjve të rrezikuar. Kjo kontribuon ndjeshëm në përmirësimin e kushteve të jetesës për qytetarët e Kosovës.
Mbështetja e mëtejshme për proceset e reformës së integrimit në BE do të jetë një tjetër prioritet i bashkëpunimit zhvillimor, me vëmendje të veçantë në fushat e financave publike, hetimit tatimor, drejtësisë dhe zbatimit të legjislacionit mjedisor.
Ministri Murati falënderoi të dy delegacionet dhe theksoi se “Gjermania ka qenë dhe vazhdon të jetë një mbështetëse e vazhdueshme e zhvillimit tonë për më shumë se 20 vjet. Ne kemi ndarë vlera të përbashkëta që nga fillimi dhe mbështetemi në mbështetjen e Gjermanisë drejt realizimin të aspiratave tona për të zhvilluar më tej Kosovën dhe për të ndihmuar vendin drejt anëtarësimit në BE”.
Historiku i bashkëpunimit:
Gjermania është ndër donatorët më të mëdhenj dypalësh në Kosovë. Me angazhimet e reja të ndërmarra, Gjermania dhe Kosova vazhdojnë 23 vjet bashkëpunim të suksesshëm zhvillimor gjermano-kosovar. Që nga fillimi i bashkëpunimit zhvillimor gjermano-kosovar në vitin 1999, qeveria gjermane ka ndarë 753.1 milionë euro për rindërtimin dhe zhvillimin e vendit. Objektivi kryesor i bashkëpunimit zhvillimor të Gjermanisë me Kosovën është afrimi i saj me Bashkimin Evropian përmes projekteve me ndikim në fushat e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, tranzicionit dhe efikasitetit të energjisë, përmirësimit të infrastrukturës së menaxhimit të ujërave të zeza dhe mbeturinave dhe forcimit të qeverisjes së mirë. Për më tepër, zgjerimi i kapaciteteve të energjisë diellore në të ardhmen e afërt do të jetë një tjetër objektiv prioritar./FolDrejt/