Zyrtarë policorë të komunës së Gjilanit kanë takuar sot zyrtarë komunalë të kësaj komune, për të diskutuar mbi parandalimin e zjarreve në këtë komunë.
Siç bëhet e ditur në njoftimin e Policisë së Kosovës, zyrtarët policorë kanë realizuar një takim me drejtorin për mbrojtje dhe shpëtim, përfaqësues nga drejtoria e bujqësisë të sektorit të pylltarisë si dhe zëvendës komandantin e zjarrfikësve të komunës së Gjilanit.
“Qëllimi i këtij takimi ka qenë bashkërendimi i aktiviteteve në mes të institucioneve në parandalimin e zjarreve në komunën e Gjilanit. Të gjithë të pranishmit janë dakorduar që përmes takimeve dhe fushatave preventive të ndikojnë për vetëdijesim në parandalim të zjarreve, rrezikun dhe pasojat nga ndezja e zjarreve dhe rëndësinë e ruajtjes së ambientit”, thuhet në njoftim./FolDrejt/