Në orët e para të mbrëmjes të së dielës, u bë e ditur se një 26 vjeçar ksihte kërcyer nga kati në konviktet tek Qendra e Studentëve. Lajmin e kishte konfirmuar edhe Policia e Kosovës ndërsa i riu më vonë u konfirmua i vdekur në QKUK. Vdekja e tij ngjalli reagime nga partitë opozitare, dhe edhe nga presidenti i vendit, për mënyrën se si po menaxhohet situata e pandemisë. Të gjithë politikanët kërkuan hetime që të zbardhet rasti sa më shpejt.
“Me datë 03.05.2020, rreth orës 17:20, ekipet e emergjencës dhe Policia kanë shkuar te Qendra e Studenteve dhe një person është përcjell me autoambulance në drejtim të Klinikes Emergjente. Njësitet e policisë dhe forenzika kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe pas procedurave hetimore do të sqarohen rrethanat tjera”, kishte konfirmuar rastin zëdhënsi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.
Mjekët e Emergjencës në QKUK konfirmuan për Gazetën Express më vonë vdekjen e të riut.
“Rreth orës 17:45 e kemi konfirmuar vdekjen. Ka ardhur me shenja të rënda në bazën e kokës. Ka pasur gjakëderdhje nga veshet hunda dhe goja dhe fraktura te medha. Pra lendimet kane qene vdekjeprurëse”, ksihte konfirmuar Gëzim Mustafa.
Rasti i tij shkaktoi polemika dhe edhe politikanët u përfshinë duke kërkuar hetime për ngjarjen. KosovaPress raportoi se, sipas dëshmisë së një banori në konvikte, 26 vjeçari nuk kishte dëshiruar të qëndronte në izolim pasi kishte probleme shëndetësore.
Ishte pikërisht kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ai që i pari shprehu ngushëllime për familjen ndërsa kërkoi që mjekësia ligjore dhe organet e rendit që sa më shpejt të zbardhin rastin.
Më vonë kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, po ashtu ngushëlloi familjen duke shtuar se i riu me inicilaet A.M ishte student i shkëlqyer në Gjermani dhe se humbja e tij është humbje e madhe edhe për qytetin. Lideri i LDK’së, Isa Mustafa, kërkoi që të zbardhen detajet e rastit.
Më i fuqishëm ishte reagimi i presidentit, Hashim Thaçi.
‘’Si president i vendit kërkoj përgjegjësi nga institucionet përkatëse, të cilat e kanë përcjellë gjendjen e këtij të riut dhe kanë vendosur që ai t’i nënshtrohet karantinimit të detyrueshëm në Qendrën e Studentëve, duke mos qenë më pas në gjendje që t’ia ofrojnë kujdesin e nevojshëm dhe meritor’’, shkruante ndër të tjera ai pasi i kishte shprehur ngushëllimet e tija familjes.
Edhe PDK kishte reagim të ngjashëm. Kryetari i këtij subjekti, Kadri Veseli, kërkoi hetime dhe përgjegjësi mbi vdekjen e të riut.
‘’Humbja tragjike e jetës së këtij të riu është një akt i rëndë dhe që mbart përgjegjegjësi shtetërore, duke qenë se i ndjeri ishte nën kujdesin e institucioneve të shtetit. Andaj, është e domosdoshme që organet e drejtësisë të nisin menjëherë hetimet”, tha Veseli.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka bërë thirrje që sa më parë të zbardhen rrethanat e vdekjes së të riut nga Gjilani sot në Karantinën e Qendrës Studentore në Prishtinë.
Haradinaj ka shkruar se me gjithë kërkesën e familjes dhe nevojës së tij për përkujdesje mjekësore, ky i ri është urdhëruar për karantinim.
Ai ka shtuar se institucionet e Kosovës duhet të ishin më vigjilente që tragjedi të tilla nga pakujdesia dhe indiferenca të mos ndodhin.
“I tronditur nga humbja tragjike e jetës së të riut nga Gjilani në Karantinën e Qendrës Studentore në Prishtinë. Me gjithë kërkesën e familjes dhe nevojës së tij për përkujdesje mjekësore, ky i ri është urdhëruar për karantinim. Përkundër të gjithave, institucionet e Kosovës do të duhej të ishin më vigjilente që tragjedi të tilla nga pakujdesia dhe indiferenca të mos ndodhin, pikërisht në këtë kohë kur të gjithë jemi vënë në alarm dhe gatishmëri, që asnjë jetë të mos humbet nga papërgjegjshmëria. Bëj thirrje që sa më parë të zbardhen rrethanat e kësaj tragjedie”, thuhet në njoftim.
Së fundi, subjekti politk PSD kërkoi që Qendra e Studentëve të mos përdoret fare më si karantinë. Në reagimin e tyre thuhet se nuk duhet që të shkelen të drejtat demokratike që të luftohet pandemia.
Ndryshe, Qendra e Studentëve përdoret si karantinë për personat që futen në Kosovë nga shtetet e jashtme. Ata duhet të qëndrojnë aty për dy javë dhe më pas testohen nëse janë pozitiv me virusin Covid-19. Kjo ishte vënë si masë në fillim të përhapjes së virusit në Ksoovë për shkak të numrit të madh të atyre që futeshin nga shtetet tjera në Kosovë dhe rrezikut që virusi të përhapej.