Presioni i gjakut është forca me të cilën gjaku lëviz nëpër arterie.
Enët e gjakut mbartin gjakun nga zemra në të gjithë trupin, dhe zemra me kontraktimin e saj pompon gjakun në të gjithë trupin me anë të arterieve.
Presioni i gjakut përbëhet nga dy komponente:
Presioni sistolik i gjakut, i cili është niveli më i lartë i presionit të gjakut që arrihet kur zemra rreh apo pompon gjakun në arterie. Vlera normale e tij është ≤120 mmHg.
Presioni diastolik i gjakut, i cili është niveli më i ulët i presionit të gjakut që arrihet kur zemra relaksohet midis dy rrahjeve të saj. Vlera normale e tij eshte ≤ 80 mmHg.
Çfarë është hipertensioni?
Hipertensioni zhvillohet kur muret e arterieve të mëdha humbasin elasticitetitn e tyre dhe bëhen të ngurta, apo kur enët e vogla të gjakut ngushtohen.
Në qoftë se tensioni juaj i gjakut është 140/90mmHg ose më lart, për disa ditë, atëherë ju mund të keni hipertension.
Ju mund të keni hipertension edhe nëse njëri nga numrat është më i lartë se norma. Hipertensioni zakonisht nuk ka simptoma apo shenja klinike. Ai është quajtur ndryshe dhe një vrasës i heshtur.
Klasifikimi i presionit të gjakut
Klasifikimi i stadid të presionit të gjakut ( )mm/Hg | |||
Kategoria | Presioni sistolik | Presioni diastolik | |
Optimal | <120 | dhe | <80 |
Normal | 120-129 | dhe/ose | 80-84 |
Normal i lartë | 130-139 | dhe/ose | 85-89 |
Grada 1 e hipertensionit | 140-159 | dhe/ose | 90-99 |
Grada 2 e hipertensionit | 160-179 | dhe/ose | 100-109 |
Grada 3 e hipertensionit | >180 | dhe/ose | >110 |
Çfarë mund të ndodhë nëse ju keni hipertension?
Me kalimin e kohës presioni i lartë i gjakut dëmton organet e trupit, rrit rrezikun për atak në zemër, goditje në tru, insuficiencë kardiake, insuficiencë renale, si dhe sëmundje të sistemit periferik të enëve të gjakut. Këto probleme shëndetësore mund të shmangen nëse presioni juaj mbahet nën kontroll.
Kush e shkakton hipertensionin
Zakonisht nuk ka vetëm një shkaktar për hipertensionin.
Disa faktorë si:
- Mbipesha
- Konsumi i madh i alkoolit
- Konsumi i kripës mbi normën e lejuar
- Moskonsumi i frutave dhe i zarzavateve
- Mosha
- Histori familjare me hipertension, atak në zemër dhe goditje në tru
të kombinuar së bashku rrisin rrezikun për të pasur hipertension. Duke u rritur në moshë, edhe presioni i gjakut rritet./AW/