Betim Gjoshi, njëherit edhe sekretari i Partisë Demokratike të Kosovës për organizim dhe zgjedhje, është shprehur sot se kryeministri Kurti duhet t’i kërkojë falje familjes Dehari.
Sipas Gjoshit, Kurti e ka keqpërdorur politikisht fatin tragjik të Astrit Deharit, transmeton Fol Drejt.
Për këtë, Betim Gjoshi shkroi në profilin e tij në rrjetin social Facebook.
Ky është postimi i tij i plotë:
“KRYEMINISTËR, KËRKOJI FALJE FAMILJES DEHARI QË IA KEQPËRDORE POLITIKISHT FATIN TRAGJIK TË DJALIT TË TYRE
Albin Kurti nuk po e përmend Astrit Deharin sepse fundi i tij tragjik nuk i duhet më për ta përdorur e keqpërdorur politikisht.
Nuk do të harrohet kurrë se si Kurti me Vetëvendosjen për pak sa nuk e kallën Kosovën duke akuzuar se shteti e vrau një djalë të ri në burg.
Sot jemi në ditën e tretë pas publikimit të ekspertizës zvicerane, sipas së cilës “objektet që kanë qenë në kontakt me të ndjerin s’tregojnë tjetër ADN, përveç të atij”, por Kurti që flet në Kuvend për filtera, bojlera, turbina e lopata, nuk po thotë asnjë fjalë për Astritin, të cilin kur e përdorke politikisht thoshte se na ndriçon me jetën dhe punën e tij.
Albin Kurti ka qenë në opozitë kur u kërkua ekspertiza në mjekësinë ligjore zvicerane, ndërsa tani që erdhi përgjigjja, ai është Kryeministër. Por, atij i duket një ngjarje e kot. Nuk ka asnjë koment. Pse ai po sillet kështu ka përgjigje.
Sot, Kurti nuk është opozitar. Atij nuk i duhet më Astriti. Nuk i shërben për asnjë betejë. Prandaj, çdo gjë për dhe rreth tij, është ngjarje e kot.
A e keni parë se si Albin Kurti nuk i takon as prindërit e Astritit. Ai hyn dhe del nga salla e Kuvendit dhe as nuk përshëndetet me babain e Astritit. Mund të duket e dhimbshme, por të jeni të bindur se në një të nesërme ai nuk do t’i shkojë Astritit as te varri.”/FolDrejt/