Edhe 23 pas përfundimit të luftës gjenocidale nga Serbia, në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, gjuhët e huaja vazhdojnë të jenë dominante kundrejt gjuhës shqipe. Ky rezultat vjen shkaku i faktorit që në kohërat e terrorit e luftërave serbe në Kosovë, ka qenë e detyrueshme hyrja e literaturës nga shtetet e tjera e ndalimi hyrjes së literaturës shqipe nga viti 1990 deri në vitin 1999 kur kishte përfunduar lufta dhe ishte çliruar Kosova.
Nga Gëzim Olluri – Fol Drejt
Sipas burimeve e statistikave të Bibliotekës Kombëtare, aktualisht në koleksionet e bibliotekës janë 2 milionë e 100 mijë njësi mediatike e më shumë se 500 mijë tituj librash, mirëpo gjuha shqipe akoma nuk listohet e para në koleksionet regjistruese të bibliotekës.
“Koleksioni i bibliotekës ka më shumë libra në gjuhë të huaja sesa në shqip shkaku i ekzemplarit të detyrueshëm që ka hy në bibliotekë nga Sllovenia, Kroacia, Maqedonia, Bosnja-Hercegovina ose Vojvodina në kohërat e luftës në ish-Jugosllavi dhe shkaku i administrimit të detyrueshëm serb”, tregojnë nga Biblioteka Kombëtare.
Brenda një viti në bibliotekë hyjnë 9 mijë njësi mediatike (ekzemplarë) dhe mbi 3 mijë tituj librash dhe librat në gjuhën shqipe rriten statistikisht çdoherë e më shumë. “Duhet theksuar që çdo vit në koleksion regjistrohen tituj të rinj librash. Mbi 3 mijë tituj librash të rinj çdo vit dhe rreth 9 mijë ekzemplarë, gjë që ndihmon që në të ardhmen gjuha shqipe të jetë e para krahas gjuhëve të tjera. Ne jemi duke punuar në këtë aspekt me të gjitha mundësitë që kemi”, thotë drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Fazli Gajraku.
Kujtojmë që shkatërrimet e luftës dhe periudha e represionit serb ndër vite paralufte e veçmas nga 1990-1999 në përfundim të luftës, Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani” përveç dëmeve në literaturë të llojllojshme, ia kanë larguar zhdukur e shkatërruar mbi 100 mijë libra shqip./FolDrejt/