I pari ishte ankuar presidenti serb Vuçiq e tani pas tij s’kishte si të mungonte Gjuriq me një ‘porosi’ më të zgjeruar e më dashakeqe pas anëtarësimit të KOSTT-it si institucion i pavarur në rrjetin europian ENTSO. Vuçiq e Gjuriq para Samitit të Zagrebit në maj e raportimit të UNMIK-ut në KS të OKB-së sot po provojnë të rrisin pazarin, duke u ankuar e duke tentuar të luajnë rolin e viktimës.
Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovë e Metohi në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, pretendoi se Gazivoda qenka në rrezik dhe kërcënoi se grabitqarëve politikë nuk do t’u lejohet dhe shtoi se edhe kjo betejë do të fitohet nga serbët.
“Grabitqarët politikë dëshirojnë që Serbia të humbë betejën për Gazivodën e Valaqin, megjithatë, për fatin e keq të tyre, do ta fitojmë këtë betejë”.
Gjuriq kujtoi se kjo betejë do të fitohet, ashtu siç i “zvogëluam numrin e njohjeve të pavarësisë së shpallur njëanshëm të Kosovës për 17 dhe penguam anëtarësimin e saj në 11 organizata ndërkombëtare”.
Gjuriq me një thënie patetike vazhdoi e tha se ka një porosi për ata që shfrytëzojnë çdo rast që “sa herë shkel syrin Prishtina e mentorët saj të huaj i gëzohen çdo problemi e sfide që i shkaktojnë Serbisë dhe popullit serb” e shtoi: “Ne do të fitojmë”.