Pas tërheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës, ka reaguar edhe ambasadori i Serbisë në SHBA, Marko Gjuriq, i cili i ka cilësuar veprimet e qeverisë së Kosovës si veprime anti-SHBA, anti-BE, anti-serbe, madje edhe anti-shqiptare.
Këtë reagim, ambasadori serb e ka bërë përmes një postimi në profilin zyrtar në tëitter, transmeton Fol Drejt.
“Një qeveri në thelb anti-amerikane e Kosovës po ndez kaos dhe po destabilizon krahun juglindor evropian në një moment shumë kritik. E habitshme?”, është shprehur Gjuriq në twitter.
“Veprimet e fundit radikale të qeverisë së Kosovës (ndalimi i serbëve që të votojnë në zgjedhjet e përgjithshme, ndalimi i targave serbe dhe refuzimi i reciprocitetit, heqja dorë publike nga marrëveshjet e ndërmjetësuara nga BE/SHBA për Asociacionin/Komunitetin e shumicës serbe, duke injoruar thirrjet publike nga zyrtarët më të lartë të SHBA-së dhe BE-së dhe duke luajtur me zjarrin në tokë) janë anti-SHBA, anti-BE dhe anti-serbe. Ata janë edhe antishqiptarë”.
“Sa i përket realitetit: Serbia dhe serbët në Kosovë vetëm kërkojnë që të mos ngacmohen për atë që janë, dhe që marrëveshjet e ndërmjetësuara nga BE/SHBA të zbatohen plotësisht. Më e rëndësishmja, ata po i kërkojnë këto në një mënyrë krejtësisht paqësore, të ngjashme me Gandin”, ka shtuar ai tutje./FolDrejt/