Gjykata komerciale në Barcelonë anuloi regjistrimin e të riut Gavi si futbollist profesionist dhe ai tani do të mund të largohet nga klubi spanjoll si lojtar i lirë në fund të sezonit, shkruajnë mediat vendase, përcjell Fol Drejt.
Në ditët e para, pasi u njoftua se Gavi ishte bërë futbollist profesionist dhe se kishte nënshkruar kontratë me klubin, dukej se gjithçka ishte rregulluar, por tashmë vendimi i gjykatës e ka pezulluar atë vendim dhe ka shkëputur kontratën profesionale që Barcelona kishte me Gavin.
Në këtë drejtim, është e qartë se lojtari mund të ndryshojë ambient si lojtar i lirë në merkaton e verës, edhe pse kjo është e vështirë të pritet duke ditur se ai është i lidhur fort me Barcelonën dhe aktualisht është një nga lojtarët kryesorë në skuadrën e Xavi.
Në ditën e fundit të afatit kalimtar të janarit, La Liga arriti të regjistrojë kontratën e Gavi deri në verën e vitit 2026, por për shkak të kërkesës së vonuar të Barcelonës, ai vendim u anulua përfundimisht.
Kujtojmë se Gavi nënshkroi kontratë me një klauzolë prej një miliardë eurosh, ndërsa tani mediat spanjolle shkruajnë se ky lojtar do të duhet të luajë me numrin 30 në pjesën e mbetur të sezonit, në vend të numrit gjashtë që mori pas nënshkrimit të kontratës profesionale.
Së fundi, shtohet se Barcelona ka të drejtë ankimimi, por që aktualisht duhet të pranojë që Gavi të mos jetë i regjistruar si lojtar profesionist.
Barcelona aktualisht është nën akuzat për korrupsion, pra Prokuroria e Spanjës akuzoi klubin se i paguan shërbime kompanisë së nënkryetarit të Komitetit të Arbitrave spanjoll prej vitesh. Më konkretisht, ata akuzohen se i kanë paguar 8.4 milionë euro nga viti 2001 deri në vitin 2018, Jose Maria Enriquez Negreira, ish-nënkryetarit të Komisionit Gjyqësor Spanjoll. /FolDrejt/