Gjykata e Apelit del me dy vendime për çështjen e pronësisë së Lëvizjes Besa. Ashtu siç kishte raportuar Alsat, në bazë të një dokumenti të siguruar nga Gjykata e Apelit rezulton që ankesa e Afrim Gashit ndaj vendimit për pronësinë e Besës pranohet.
Në lëndën me numrin 5454/18 thuhet se vendimi i shkallës së parë në Gjykatën Themelore Shkupi 2, ndërpritet ndërsa lënda kthehet në shkallë të parë për procedim dhe vendim. Ky vendim është marrë më 10 janar 2019. Por tre javë më vonë, respektivisht më 31 janar 2019, Gjykata Apelit sjell vendim ndryshe nga ai paraprak edhe pse bëhet fjalë për lëndën e njëjtë, me numër të njejtë por me argumente të kundërta.
Në këtë vendim thuhet se ankesa e Afrim Gashit ndaj vendimit të shkallës së parë hidhet poshtë si e pabazë. Amullia mbetet në Gjykatën e Apelit. Të kontaktuar nga Alsat për të shpjeguar paqartësitë, nga gjykata e shkallës së dytë nuk konfirmojnë dokumentin e parë, duke u thirrur në mungesën e vulës. Por vetë gjykatësi i lëndës, Amir Abdullai në rrethana jo zyrtare ka një version tjetër.
Sipas tij, vendimi i parë ka të bëj me vendim i cili akoma nuk iu kishte nënshtruar “prereferimit” në këshillin e përbërë nga kreu i këshillit, gjykatësi Amir Abdullai dhe anëtarët Maja Markoska Kotevska dhe Fatmir Skender.
Mbetet e paqartë si vendimi i parë nga ankesë e pranuar u bë ankesë e papranuar? A është keqpërdorur në këtë rast sistemi AKMIS, i cili në sistem vendos lëndën për të cilët ka aktvendim? Në rast se pretendohet për dokument të falsifikuar, atëherë lind dyshimi se si mundet që numri i lëndës të jetë i njëjti për dyja vendimet? Dhe krejt në fund, çështja mbetet pezull e përgjigjes ndaj pyetjes: Çfarë e bëri Gjykatën e Apelit ta ndryshojë vendimin për 180 shkallë? Kontesti gjyqësorë mes Afrim Gashit dhe Bilall Kasamit filloi pasi palët u përçanë në grupe si pasojë e mosmarrëveshjeve për kryesimin e partisë.
Adrian Kerimi