Mediat serbe kanë publikuar vendimin e Gjykatës së Kralevës, për lirimin e tre policëve nga Kosova, të rrëmbyer nga forcat speciale policore e ushtarake serbe më 14 qershor, shkruan Fol Drejt.
“Pas kryerjes së procedurës paraprake dhe ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria e Lartë Publike e Kralevës kundër të dyshuarve B.S., R.Z. dhe Sh.M. për secilin vepër penale prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim të paligjshëm të armëve dhe lëndëve plasëse, substancave nga neni 348,paragrafi 4 në lidhje me paragrafin 2 në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal, trupi gjykues i Gjykatës së Lartë në Kralevë ka konfirmuar aktakuzën kundër të pandehurve të lartpërmendur dhe ka nxjerrë aktvendim me të cilin të pandehurve u është ndërprerë paraburgimi”, thuhet në deklaratën e Gjykatës së Lartë, e Kralevës.
Ata u mbajtën në paraburgim nën akuzën për mbajtje të armëve pa leje brenda territorit të Serbisë. Ky pretendim, ndërkaq, u hodh poshtë nga autoritetet e Kosovës, duke e dëshmuar se ata u arrestuan brenda territorit të Kosovës.
Arrestimi u cilësua si akt agresioni, ndërsa u dënua jo vetëm nga Kosova, por edhe nga një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare. ShBA-të dhe BE kërkuan lirim të menjëhershëm të tyre.
Autoritetet e Kosovës i falënderuan, me këtë rast, aleatët ndërkombëtarë për presionin që ia bënë Beogradit zyrtar, për të ardhur deri te ky vendim./FolDrejt/