Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka lënë në fuqi një masë që lejon deportimin e emigrantëve të kapur në kufirin SHBA-Meksikë, të miratuar gjatë pandemisë Covid-19.
Gjykata e Lartë votoi 5-4 për zgjatjen e kësaj mase të quajtur “Titulli 42”, e cila është aplikuar rreth 2.5 milionë herë që nga marsi 2020.
Në mars 2020, administrata e ish-presidentit Donald Trump aktivizoi këtë sistem të kujdesit shëndetësor në mënyrë që të mund të deportonte menjëherë migrantët pa dokumente të kapur në kufijtë tokësorë, duke përfshirë azilkërkuesit e mundshëm.
Kjo masë e përjashtimit është e menjëhershme dhe nuk mundëson mjet juridik. Janë parashikuar përjashtime të rralla, për kombësi të caktuara si ukrainasit për shkak të pushtimit të Rusisë në vendin e tyre ose për të miturit e pashoqëruar.
Aktivistët dhe ekspertët e të drejtave të njeriut e konsiderojnë atë një shkelje të ligjit ndërkombëtar. Për ta, sistemi aktual vetëm inkurajon emigrantët të kalojnë kufirin fshehurazi dhe të marrin rreziqe në rritje duke kaluar shkretëtira apo lumenj.
Megjithatë, anulimi i masës u kundërshtua nga 19 shtete federale të SHBA-së, të cilët kishin frikë nga një fluks migrantësh në kufirin me Meksikën.
Gjykata e Lartë tashmë e ka pezulluar masën për një periudhë të pacaktuar, duke shuar kështu shpresat e përfaqësuesve të emigrantëve që prisnin shfuqizimin e saj.
Masa do të qëndrojë në fuqi derisa Gjykata e Lartë të vendosë mbi themelin e kësaj çështjeje. Ajo do të dëgjojë argumentet nga të dyja palët në shkurt 2023 dhe do të shpallë vendimin e saj pranverën e ardhshme.
Vendimi i Gjykatës së Lartë u mirëprit menjëherë nga kampi republikan. “Kjo do të parandalojë që njerëzit që jetojnë në kufi të zbresin në kaos total,” tha zyrtari i zgjedhur i Teksasit, Tony Gonzales.
“Ne jemi thellësisht të zhgënjyer për të gjithë azilkërkuesit e dëshpëruar që do të vazhdojnë të vuajnë për shkak të Titullit 42, por ne do të vazhdojmë të luftojmë për të shfuqizuar përfundimisht politikën,” tha Lee Gelernt, një avokat në Unionin Amerikan të Lirive Civile (ACLU).
Presidenti i SHBA Joe Biden premtoi një reformë gjithëpërfshirëse të sistemit të migracionit gjatë fushatës zgjedhore, por të gjitha projektligjet e tij u mbërthyen në Kongres./FolDrejt/