Zyra Provinciale për Mbrojtjen e Rendit Kushtetues mund të monitorojë aktivitetet e partisë së djathtë, populiste Alternativa për Gjermaninë (AfD) dhe të informojë publikun për vëzhgimet e saj, vendosi Gjykata e Lartë Administrative në Mynih.
“Zyra për Mbrojtjen e Rendit Kushtetues me arsye supozon se brenda AfD-së ka aspirata që janë në kundërshtim me Kushtetutën”, thuhet në shpjegimin e vendimit të Gjykatës së Lartë Administrative të Bavarisë në Mynih, përcjell Fol Drejt.
Zyra Krahinore për Mbrojtjen e Rendit Kushtetues vendosi të nisë monitorimin e AfD-së në tërësi në qershor 2022 për të vlerësuar nëse ka tendenca antikushtetuese. Për këtë, zyra përdor materiale në dispozicion të publikut si dhe informacione të marra nga burime të shërbimit sekret, ku përfshihet puna e informatorëve brenda vetë partisë.
Kundër këtij vendimi AfD ka ngritur padi, e cila me vendimin e sotëm është rrëzuar.
Më tej në sqarim thuhet se përmes aktiviteteve të degës së ekstremit të djathtë tashmë të shpërbërë të AfD-së, si dhe përmes aktiviteteve të të rinjve të AfD-së, ka pasur arsyetim për monitorimin e partisë.
Këto pjesë të partisë dallohen veçanërisht duke përfaqësuar një botëkuptim nacionalist dhe duke përhapur urrejtje dhe intolerancë ndaj muslimanëve. Vendimi i sotëm i Gjykatës së Lartë Administrative i referohet vetëm kërkesës urgjente të AfD-së për ndalim monitorimi, ndërkohë që pritet ende vendimi përfundimtar.
Në shumë shtete të tjera federale, AfD ose pjesë të kësaj partie janë nën vëzhgim nga Zyra për Mbrojtjen e Rendit Kushtetues, d.m.th. shërbimet sekrete të brendshme.
Sipas sondazheve aktuale të opinionit publik, AfD është partia e dytë më e madhe në Gjermani në nivel federal, me 22 për qind të mbështetjes së votuesve, ndërsa është gjithashtu partia më e fortë politike në shumicën e shteteve federale të Gjermanisë Lindore./FolDrejt/