Gjykata në Barcelonë refuzoi kërkesën e Cristabal Martellit, avokatit të Dani Alvesit, për të liruar me kusht futbollistin e akuzuar për përdhunim për t’u mbrojtur në liri.
Futbollisti do të presë kështu gjyqin në paraburgim, ku ndodhet muajin e fundit. Ky vendim u mor nga gjykata pas seancës të enjten e kaluar, gjatë së cilës Alves ndryshoi dëshminë e tij për të pestën herë.
Pasi kishte deklaruar më parë se kishte kryer marrëdhënie seksuale me vajzën që e akuzonte për përdhunim, por me pëlqimin e saj, tani pretendon se ajo e ka sulmuar, pra se është viktimë e një sulmi seksual. Gjithçka ka ndodhur në agimin e 30 dhjetorit të vitit të kaluar në tualetin e klubit të natës Sutton në Barcelonë, pas së cilës një vajzë 23-vjeçare ka denoncuar për përdhunim futbollistin brazilian.
Gjykata pranoi qëndrimin e prokurorisë dhe avokates së viktimës Ester Garcia, se duke e lënë Alvesin të mbrohej në liri, do të kishte një rrezik të madh që ai të arratisej nga Spanja. Në shpjegim ai shprehet se kjo është vendosur për shkak të pasurisë së madhe të Alvesit dhe për shkak se Spanja dhe Brazili nuk kanë një traktat ekstradimi.
Nuk u pranuan garancitë e avokatit të të pandehurit se Alves nuk do të arratisej, as fakti që ai ofroi si garanci dorëzimin e pasaportës, paraqitjen çdo ditë në gjykatë, pranimin e ndalimit për t’u afruar dhe komunikuar me viktimën dhe për të veshur një byzylyk gjurmues.
Gjykata besoi më shumë në argumentet e avokatit të viktimës, i cili në seancë vërtetoi me dokumentacion se Alves kishte 15 kompani në Brazil, me të cilat mund të merrte për shembull dokumente false dhe të largohej nga Spanja, transmeton Fol Drejt.