Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Adem Grabovci, ka thënë se edhe Gjykata Speciale do ta vërtetojë pastërtinë e luftës çlirimtare. Duke iu referuar shkuarjes në Hagë të ish-komandantëve të UÇK-së, Sami Lushtaku dhe Rrustem Mustafa, Grabovci ka thënë se ata do të dalin fitimtar.
“Unë jam thellësisht i bindur, edhe sot sikurse kam qenë dje, siç do të jem gjithmonë, se lufta çlirimtare ka qenë luftë e pastër, civilizuese dhe mbrojtëse. Pastërtia dhe drejtësia e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është dëshmuar gjerë më tani nga 4 palë gjykata, si gjykatat e UNMIK-ut, Tribunali i Hagës, gjykatat e EULEX-it dhe gjykatat vendore. Edhe Gjykata Speciale do ta vërtetojë të njëjtë gjë, luftën e drejtë e çlirimtare përballë luftës gjenocidiale të agresorit serb. Por, kjo që po ndodh me Kosovën është rast unik në botë, ku nga qarqe të caktuara politike, të mbështetura në fabrikimet e strukturave të Millosheviqit, të të gjitha natyrave, kundër luftës së pastër dhe të drejtë të UÇK-së, po tentohet që agresori të kthehet në viktimë e viktimat, shqiptarët, gjegjësisht mbrojtësit e tyre dhe dalzotësit e vlerave universale të njerëzimit, lirisë dhe të drejtave njerëzore dhe kombëtare, luftëtarët e UÇK-së, në agresor”.
“Nëse sado pak ka drejtësi, drejtësi të paanshme, të mbështetur në fakte, për çka tanimë kemi edhe dyshimet tona serioze, drejtësia ndërkombëtare edhe një herë do ta thotë fjalën e vet e do ta vulos përfundimisht pastërtinë e luftës së drejtë e çlirimtare të UÇK-së. Jam i vetëdijshëm se kjo është sfidë, jo vetëm për ata që do shkojnë për ta mbrojtur luftën, familjet dhe bashkëluftëtarët e tyre, por edhe për të gjithë Kosovën.
Megjithatë jam i bindur se Samiu, Remi dhe të tjerët, do të dalin fitimtarë si çdo herë. Suksese dhe ju priftë e mbara, Sami dhe Rem!”, ka shkruar Grabovci në llogarinë e vet në “Facebook”.