Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, kanë dalë me vendim përfundimtar lidhur me kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), për ndalimin e komunikimeve dhe vizitave për Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin, si të akuzuar nga kjo Gjykatë për krime lufte. Në mesin e rregullave strikte që u janë vënë për komunikimet dhe vizitat, tre të akuzuarve iu ndalohet të përdorin pëshpëritje apo kode gjatë komunikimit.
Në vendim e marrë më 1 dhjetor 2023, thuhet se Paneli i gjyqtarëve në krye me gjyqtarin Charles Smith III, kanë aprovuar pjesërisht kërkesën e ZPS-së, si dhe është udhëzuar sekretari që të marrë masa dhe të zbatojë modifikimet e kushteve të paraburgimit.
“SHFUQIZOHEN masat e përkohshme të urdhëruara në Vendimin e Përkohshëm të Panelit, në fuqi sapo të vendosen të gjitha masat përkatëse në këtë Vendim. (b) Aprovohet Pjesërisht Kërkesa e SPO-së në masën e përcaktuar në paragrafët 51-53, 55-60 dhe 62-78 të këtij vendimi; (c) UDHËZON Sekretarin të marrë masa dhe të zbatojë modifikimet e kushteve të paraburgimit siç pasqyrohet në paragrafët 51-53, 55-60, dhe 62-78 menjëherë, dhe të njoftojë Panelin kur kjo të jetë realizuar. (d) UDHËZON Sekretarin që t’i dorëzojë Panelit një raport të konsoliduar në përputhje me kushtet e përcaktuara në paragrafin 78 të këtij vendimi çdo dy muaj (raporti i parë duhet të jetë më 1 shkurt 2024), ose në çdo kohë më herët, nëse Sekretari e gjykon të nevojshme”, thuhet në vendim.
Përmes këtij vendimi, Paneli i gjyqtarëve nuk ka ndaluar vizitat për tre të akuzuarit, mirëpo ka treguar se për realizimin e tyre duhet të kërkohet miratimi paraprak nga sekretari.
“Paneli konstaton se, në vijim, të gjitha vizitat personale jo të privilegjuara për tre të akuzuarit do t’i nënshtrohen miratimit paraprak nga Sekretari në mënyrë që të gjitha konsideratat relevante të jenë ligjore; praktike; siguria – mund të përfshihet në vendimin nëse do të autorizohet një vizitë e caktuar. Vetëkuptohet se para çdo vendimi të tillë do të konsultohet Shefi i Paraburgimit të DMU. Aty ku është e nevojshme, Sekretari duhet të konsultohet me ZPS-në për të përcaktuar nëse ka indikacione se një individ i caktuar ka kryer ose mund të angazhohet në sjellje të papajtueshme me kërkesën e tij/saj për një vizitë jo të privilegjuar tek një nga të akuzuarit”, thuhet më tej në vendim.
Paneli ka konstatuar se duhet të vendoset një sistem, i cili fokusohet në identifikimin dhe përjashtimin e atyre individëve që mund të paraqesin kërcënim për integritetin e procedurave. Në bazë të kësaj, Paneli thekson se tre të akuzuarit nuk duhet të takohen me më shumë se një vizitor në çdo kohë me disa përjashtime.
“Paneli urdhëron që Sekretaria të sigurojë që sa vijon: (i) tre të akuzuarit nuk duhet të takohen me më shumë se një vizitor në çdo kohë (me përjashtim të vizitave nga bashkëshortët/partnerët dhe fëmijët që mund të kryejnë vizita së bashku, por pa çdo vizitor tjetër i pranishëm)”, thuhet në vendim.
Ky vendim, urdhëron Qendrën e Paraburgimit në Hagë që zona e vizitave duhet të jetë e lirë nga muzika ose çfarëdo zhurmë që mund ta dëmtojnë dëgjimin.
“Zona e vizitës duhet të jetë e lirë nga muzika ose zhurma të tjera të larta që mund të dëmtojnë komunikimin e dëgjimit; (iii) i vetmi i paraburgosur me të cilin një vizitor bie në kontakt është i paraburgosuri që vizitori është autorizuar ta vizitojë; të paraburgosurit nuk duhet t’i bashkohen vizitave të të paraburgosurve të tjerë; (iv) të paraburgosurit nuk duhet të kenë një vizitor personal jo të privilegjuar në të njëjtën kohë me një të paraburgosur tjetër ose në një afërsi të tillë kohore që vizitorët mund të kenë mundësinë të ndërveprojnë me njëri-tjetrin ose me të burgosurit e tjerë; (v) të paraburgosurit nuk duhet të hyjnë në zonën e vizitës me dokumente ose materiale të një natyre të privilegjuar ose konfidenciale që kanë të bëjnë me një çështje pranë Dhomës së Specializuar”, thuhet në atë vendim.
Po ashtu, tre të akuzuarve iu ndalohet të përdorin pëshpëritje apo kode gjatë komunikimit.
“(vi) të gjithë të paraburgosurit dhe vizitorët duhet të komunikojnë në mënyrë të dëgjueshme dhe nuk lejohen të fshehin asnjë pjesë të një bisede përmes pëshpëritjes ose përdorimit të gjuhës së koduar; 107 (vii) nëse ndonjë nga këto dispozita ose rregulla të tjera të vizitës shkelet, Sekretari dhe ata që veprojnë në emër të saj janë të autorizuar të ndërpresin vizitën menjëherë. Kur një vizitë ndërpritet para kohe në një mënyrë të tillë, Zyra e Regjistrimit do të njoftojë menjëherë Panelin dhe do t’i sigurojë Panelit një raport për incidentin brenda pesë ditëve”, thuhet tutje.
Ndërsa, kërkesën për ndarjen e tre të akuzuarve dhe ndërprerjen e kontakteve me të paraburgosurit tjerë, Paneli e ka konsideruar si të panevojshme.
“Paneli konstaton se, përderisa ndarja e tre të akuzuarve do të siguronte që ata të mos mund t’i përdorin të burgosurit e tjerë si ndërmjetës për të përhapur informacione konfidenciale, duhet të merren parasysh faktorë shtesë. Në veçanti, Paneli thekson se deri më tani nuk ka asnjë indikacion se ndonjë nga tre të akuzuarit ka kërkuar të përdorë një të paraburgosur tjetër për të ndërhyrë në procedurë ose për të zbuluar informacione konfidenciale. Gjithashtu, nuk ka asnjë tregues që ndonjë i burgosur tjetër të jetë i përgatitur të përfshihet në një sjellje të tillë në emër të tyre. Së dyti, masa të tilla do të kishin një efekt gërryes të rëndë mbi të drejtat e tre të akuzuarve. Së fundi, Paneli konsideron se qëllimi legjitim i ndjekur mund të arrihet me masa që janë më pak pushtuese të të drejtave të atyre që janë në fjalë dhe që për këtë arsye duhet të preferohen ndaj ndarjes”, thuhet më tej, raporton BetimipërDrejtësi.
Prandaj, në këtë fazë, Paneli thekson se nuk është i bindur se masat e ndarjes do të ishin të nevojshme dhe/ose proporcionale bazuar në informacionin që është aktualisht para Panelit.
Kurse, për vizitat konsullore, Paneli ka urdhëruar që t’iu nënshtrohen të njëjtave kërkesa si për vizitat e paprivilegjuara. Po ashtu, theksohet se vizitat konsullore tek cilido nga tre të akuzuarit nuk do të zgjasin më shumë se 45 minuta.
Me anë të këtij vendimi, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III tha se monitorimi aktiv i të gjitha takimeve jo të privilegjuara personalisht me përjashtim të vizitave konsullore me autorizimin e duhur ndërmjet tre të akuzuarve dhe vizitorëve të tyre është i nevojshëm për të adresuar shqetësimet e ngritura nga ZSP-ja. Që kjo masë të jetë efektive, Paneli thekson se këto vizita duhet të monitorohen nga një shqipfolës.
Po ashtu, edhe për vizitat dhe komunikimet me video dhe ato telefonike me tre të akuzuarit, duhet të kërkohet miratim nga sekretaria, të cilët janë urdhëruar që të bëjnë monitorim aktiv.
Gjykata ka vënë edhe kushte shtesë për vizitat dhe komunikimet me video apo audio-lidhje me palë të treta.
“Asnjë individ i palajmëruar nuk do të marrë pjesë në thirrje, asnjë person nuk do të lejohet të dëgjojë në mënyrë pasive thirrjen ose të marrë përndryshe përmbajtjen e thirrjes dëgjimore ose tekstuale, përveç individit të shpallur. Përdorimi i altoparlantit-telefonit ose funksione të ngjashme është i ndaluar; (iv) përdorimi i gjuhës së koduar është i ndaluar; i paraburgosuri, si dhe kushdo që komunikon me të paraburgosurin, i ndalohet të bëjë regjistrime audio ose video të vizitave dhe komunikimeve. Në ushtrimin e diskrecionit të saj dhe për të garantuar monitorimin efektiv të komunikimeve të tilla, Sekretarja sipas gjykimit të saj mund të kufizojë numrin e thirrjeve/videove dhe/ose kohëzgjatjen e tyre. Çdo vendim i tillë do t’i vihet menjëherë në vëmendje Panelit”, thuhet në vendim, sa i përket kushteve për vizitat dhe komunikimet me video apo audio-lidhje.
Tutje, thuhet se Paneli do t’i shqyrtojë kushtet e paraburgimit të përmendura këtu ose proprio motu çdo gjashtë muaj.
Me anë të këtij vendimi të datës 1 dhjetor 2023, Paneli gjithashtu ka refuzuar, të miratojë çfarëdo mase kufizuese në lidhje me vizitat private, pasi thuhet se nuk ka asnjë tregues që ato janë përdorur për sjellje joadekuate deri më tani.
Përmes këtij vendimi, Paneli thekson se ekziston një klimë e përgjithshme e ndërhyrjes së dëshmitarëve e cila po vazhdon në Kosovë ashtu si në këtë rast edhe në raste të tjera.
Paneli ka vënë në dukje se tre të akuzuarit kanë marrë informacione konfidenciale në lidhje me dëshmitarët dhe me gjerë. Po ashtu, sipas këtij vendimi, ka rrezik që informatat konfidenciale të bëhen të njohura për publikun para se dëshmitarët të dëshmojnë.
Po ashtu, thuhet se Kolegji ka përcaktuar edhe më parë se tre të akuzuarit kanë interesim dhe aftësi për të ndërhyrë në procedurë. Paneli i gjyqtarëve ka ritheksuar se të akuzuarve iu ndalohet të zbulojnë apo të diskutojnë me dikë tjetër përveç ekipit të tyre mbrojtës.
“Paneli rithekson se të akuzuarve u ndalohet të zbulojnë apo diskutojnë me dikë tjetër përveç mbrojtësit të tyre dhe anëtarëve të ekipit mbrojtës informacione që i nënshtrohen masave mbrojtëse, në veçanti emrat dhe detajet e dëshmitarëve të PSP-së, informatat konfidenciale dhe/ose përmbajtjen e provave të dhëna në seancë private ose e mbyllur. Këtu përfshihen informacione të cilat, drejtpërdrejt ose tërthorazi, mund të identifikojnë dëshmitarët që i nënshtrohen masave mbrojtëse. Një zbulim i tillë palëve të treta të paautorizuara mund të përbëjë bazë për një shkelje sipas regjimit ligjor në fuqi”, thuhet në vendim.
Ndërsa, lidhur me Hashim Thaçin për të cilin Zyra e Prokurorit të Specializuar ka përmendur komunikimet me vizitorë të jopriviligjuar ku është diskutuar dëshmia që do të japin dëshmitarët, thuhet se në transkripta shihet se ai i ka dhënë udhëzime vizitorit se çka duhet të dëshmojë. Ndërsa, Paneli nuk ka përcaktuar se një sjellje e tillë mund të përbëjë vepër penale nga ana e Thaçit.