Gjykata Themelore e Prishtinës ua ka caktuar masën prej një muaji paraburgim dy edukatoreve të dyshuara për dhunë ndaj një fëmije 3-vjeçar në një çerdhe në Fushë Kosovë.
Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, e ka konfirmuar këtë për Radion Evropa e Lirë të mërkurën.
Më 18 shtator, familjarët e 3-vjeçarit i publikuan në rrjetet sociale incizimet nga kamerat e sigurisë në çerdhen “Gëzimi Ynë” në Fushë Kosovë, ku thanë se shfaqen edukatoret duke ushtruar dhunë ndaj fëmijës.
Në një njoftim për media të mërkurën, Prokuroria tha se e ka autorizuar policinë për nisjen e menjëhershme të hetimeve për këtë gjatë dhe mbajtjen e të dyshuarave me inicialet N.M. dhe N.H., në paraburgim gjatë kësaj periudhe.
Ato dyshohen për dy vepra penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” dhe “lëndim të lehtë trupor”, tha Prokuroria.
“Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, fëmija është dërguar për t’i përfunduar ekzaminimet e nevojshme mjeko-ligjore, sipas dispozitave të KPPRK-së, andaj në bazë të rezultateve nga ky raport, dyshohet se të pandehurat duke i keqpërdor detyrat e tyre zyrtare, me dashje e me qëllim të shkaktimit të lëndimeve trupore, me forcë e kanë tërhequr për krahë të dëmtuarin e mitur, në atë mënyrë që i kanë shkaktuar lëndime të lehta trupore”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Sipas familjarëve që kanë publikuar pamjet, 3-vjeçari është rrahur nga dy edukatore, duke pretenduar se në dhunë janë përfshirë edhe pastruesja dhe kuzhinierja e këtij institucioni. Ata thanë po ashtu se fëmija po përjeton “trauma të rënda psikike, nuk mund të flejë më dhe po përjeton ankth të madh”.
Drejtori i Arsimit në Fushë Kosovë, Fatlum Berisha, tha për mediat se edukatoret që dyshohet të jenë përfshirë në këtë rast do të pezullohen nga puna pasi të përfundojnë intervistimin në polici.
Ndërkaq, koalicioni i organizatave joqeveritare për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) ka reaguar pas kësaj ngjarjeje.
“Nisur nga kjo ngjarje e rëndë, KOMF bën thirrje që institucionet përgjegjëse në përmbushje të mandatit të tyre, të ndërmarrin menjëherë veprimet dhe masat e nevojshme sipas legjislacionit në fuqi”, tha ky koalicion.
KOMF po ashtu u bëri thirrje institucioneve që të intensifikojnë monitorimin dhe inspektimin e institucioneve parashkollore në Kosovë “në mënyrë që të parandalohen raste të tilla”.
Ky koalicion rikujtoi se sipas Ligjit për mbrojtjen e fëmijëve dhe legjislacioneve të tjera, është e ndaluar çdo formë e dhunës ndaj fëmijëve, përfshirë ajo fizike, psikologjike dhe neglizhimi i fëmijëve./rel