Gjykatat serbe në Vranjë e Bujanoc kanë nisur një seri ftesash për personalitete të caktuara shqiptare në Luginën e Preshëvës të cilat prokuroria serbe i akuzon për shkelje ligjesh.
Ish-drejtori i Shtëpisë së Kulturës në Bujanoc, Granit Sadriu është ftuar në gjykatë me arsyetimin se ka shkelur ligjin derisa ka lëshuar njërën nga sallat e këtij institucioni për manifestimin e Ditës së Flamurit Kombëtar.
“Kjo është shkelje e të drejtave të njeriut. Në vendet tjera në shekullin XXI njerëzit mendojnë për zhvillim ekonomik”, deklaroi Sadriu.
Nga ana tjetër departamenti Special i Prokurorisë së Nishin ka ngritur aktakuzë ndaj deputetit Shaip Kamberi për tejkalim të ndarjeve buxhetore kur ai ishte kryetar i Bujanocit.
“Unë do të përballem në aspektin juridik me këtë aktakuzë, dhe nëse e shoh që akuza është politike do t’i përgjigjem në mënyrë politike”, deklaroi Kamberi.