Gjatë dhënies së fjalës hyrëse në gjykimin ndaj ish-kryetarit të Leposaviqt, Dragan Jabllanoviq dhe të akuzuarve të tjerë, disa nga mbrojtësit të mbështetur nga të mbrojturit e tyre e konsideruan aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) të natyrës politike.
Në këtë rast, Jabllanoviq po akuzohet për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar dhe keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, së bashku me Haxhi Bejtën, Aleksandar Ackoviq, Aleksandar Kostiq, Çedomir Timotijeviq, Bojan Banoviq, Mirosllav Ivanoviq, Ivan Kadiq, Boban Millovanoviq dhe Jellica Baraq.
Ndërsa, të akuzuarit Xhemajl Ferizi, Haki Haxhiu, Mehdi Haxhiu, Mensur Rama dhe Nijazi Musliu, po akuzohen për veprat penale pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.
Fillimisht, fjalën hyrëse e dha prokurorja speciale Merita Bina Rugova, e cila tha se aktakuza është ngritur në bazë të provave të mjaftueshme dhe të shumta që vërtetojnë se të gjithë të akuzuarit i kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohet.
Sipas saj, provat janë të mbledhura në pajtim të plotë me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale dhe drejtpërdrejtë vërtetojnë elementet esenciale të veprave penale të përshkruara në aktakuzë.
E njëjta tha se do të vërtetohet se të gjithë të akuzuarit me dashje kanë marr pjesë në veprimtarinë të këtij grupi kriminal të cilin e ka kontrolluar i akuzuari Dragan Jabllanoviq.
‘‘Të akuzuarit në këtë rast kanë vepruar si grup i strukturuar i organizuar ndërsa dëshmi për këtë është mënyra e kujdesshme e përzgjedhjes së anëtarëve’’, shtoi prokurorja Merita Bina Rugova.
Tutje ajo tha se ky grup kriminal i kanë keqpërdorur fondet e dedikuara për komunën e Leposaviqit dhe buxhetit të Kosovës duke punuar ekskluzivisht në arritjen e qëllimit për të përvetësuar sa më shumë para.
‘‘Kjo dëshmohet me të gjitha veprimet e tyre ashtu që pas përfundimit të projekteve kanë vazhduar me gjet mënyra për të përfituar dobi financiare ashtu që të akuzuarit nga organizatat e biznesit përmes procedurës përmbarimore kanë kërkuar edhe më shumë se 3 milionë euro shtesë, me çka pa asnjë hezitim është pajtuar edhe i akuzuari i parë Jabllanoviq’’, tha Bina-Rugova.
Aktakuzën e prokurorisë e ka mbështetur edhe përfaqësuesi i Avokaturës Shtetërore, Bedri Krasniqi, duke shtuar se të njëjtit do të prezantojnë të gjitha faktet për vërtetimin e kërkesës pasurore juridike për dëmin e shkaktuar si pasojë e veprës penale.
Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Dragan Jabllanoviq, avokati Ramë Gashi në fjalën hyrëse tha se mbrojta mbeten pranë arsyeve të paraqitura në kundërshtimin e provave dhe kërkesës për hudhjen e aktakuzës për të akuzuarin Jabllanoviq.
Sipas tij, gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor do të vërtetohet se kualifikimi juridik i veprës penale nga neni 283 paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRKS) do të rezultojë i paqëndrueshëm dhe i pabazuar në ligj.
Avokati Gashi tha se nuk do të vërtetohet se Jabllanoviq ka formuar dhe udhëhequr këtë grup, si grup kriminal të organizuar për të kryer vepra të kundërligjshme, ashtu siç nuk do të vërtetohet asnjë bashkëpunim me të pandehurit me qëllim të kryerjes së veprave penale.
Po ashtu, ai tha se nuk do të vërtetohet se Jabllanoviq ka pasur çfarëdo ndikimi apo lidhje direkte apo indirekte lidhur me përgjegjësitë e personave në aktakuzë dhe bizneset e tyre.
Sipas avokatit Gashi, i mbrojturi i tij nuk ka përgjegjësi penale lidhur me kontratën ‘‘furnizimi me material ndërtimor dhe ndërtimi i shtëpive dhe objekteve në komunën e Leposaviqit’’.
‘‘Nuk do të ketë fakte dhe as nuk do të vërtetohen rrethana se z. Jabllanoviq ka qenë organizator i planeve dhe programeve dhe ka menaxhuar financa dhe përfitime të kundërligjshme në mënyrë direke apo të tërthortë, elemente këto të cilat janë inkriminuese dhe qenësore për ekzistimin e veprës penale’’, shtoi ai.
I njëjti përmendi faktin se procedura përmbarimore që është udhëhequr nga zyra përmbaruese është kompetencë ligjore e përmbaruesit i cili vetëm në bazë të dokumentit të besueshëm ligjor e që në rastet më të shumta të punës së përmbaruesit është fatura, lejohen urdhrat për përmbarim.
‘‘Lidhur me këtë çështje, lehtësisht mund të vërtetohet se sjellja ndryshe në rastin konkret do të rriste shpenzimet e debitorit’’, deklaroi avokati Gashi.
I akuzuari Jabllanoviq mbështeti fjalën hyrëse të avokatit të tij duke shtuar se ‘‘nuk janë plotësuar kushtet dhe nuk ka elemente të veprës penale’’.
Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Haxhi Bejta, avokati Skender Musa në fjalën e tij hyrëse ka deklaruar se i mbrojturi i tij nuk ka kryer vepër penale por se të gjitha detyrat dhe punët i ka kryer në kuadër të kompetencave të tij të bazuara në ligjin e prokurimit publik si dhe me vendimin me të cilin është caktuar në atë pozitë.
Sipas tij, të gjitha procedurat që janë ndërmarr nga i mbrojturi i tij janë në pajtim me dispozitat ligjore dhe se gjatë këtij procesi gjyqësor do të vërtetohet se i njëjti nuk ka marr pjesë në grupin kriminal të organizuar e as që ka keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtar.
Avokati Musa ka paralajmëruar se do kërkojnë ekspertizë të prokurimit publik me arsyetimin se me të do sqarohen të drejtat dhe detyrat e menaxherit të prokurimit dhe objektet tjera të kësaj çështje penale.
Mbrojtësi i të akuzuarit Aleksandar Ackoviq, avokati me autorizim zëvendësues Faton Qerezi deklaroi se në këtë proces gjyqësor do të vërtetohet se i mbrojturi i tij nuk i ka kryer veprat penale për të cilat ngarkohet, duke pretenduar se ai vetëm i ka kryer detyrat e tij të punës.
Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Xhemajl Ferizi, avokati Isa Hyseni fjalën e tij hyrëse e dorëzoi me shkrim duke deklaruar se mbetet në tërësi pranë saj.
Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Haki Haxhiu, avokat Mahmut Halimi tha se mbetet në tërësi pranë pretendimeve të paraqitura në kundërshtimin e aktakuzës.
Sipas tij, nga fillimi i dispozitivit e deri në deri në fund të përshkrimit faktik, asnjë fjalë e vetme nuk qëndron në drejtim të përmbushjes së elementit qenësor të veprës penal të keqpërdorimit të autorizimeve ekonomike.
Po ashtu, ai tha se akuzën e bën të paqartë edhe fakti se në tërë pjesën e dispozitivit, të gjithë të akuzuarit paraqiten si bashkekzekutor e në fund ndahen me vepra specifike, duke i ndarë në dy grupe se kinse paskan kryer krim të organizuar.
Ai shtoi se për çdo paqartësi rreth zbatimit ose shkeljeve eventuale në kontratat e përshkruara në aktakuzë, kompetente duhet të jetë Gjykata Komerciale sepse janë dy subjekte, komuna e Leposaviqit dhe ndërmarrjet e tjera që i kanë lidhur kontratat në cilësi të subjekteve juridike.
‘‘Këtë akuzë thjesht e konsideroj të një natyre politike sepse siç e dimë pas marrjes së pushtetit nga ana e Listës Serbe dhe dorëzimit të pushtetit nga ish kryetari i Komunës Jabllanoviq tani prezent, ka filluar ‘gjuetia me shtriga’ dhe atë nga ana e Listës Serbe’’, tha avokati Halimi.
Po ashtu ai tha se kjo aktakuzë rrjedh nga dita kur udhëheqja e Listës Serbe e ka marr pushtetin dhe ka sjell sajesa para organit të ndjekjes, ku sipas tij të njëjtin janë ra viktimë e tyre.
Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Mehdi Haxhiu, avokat Sabit Rama tha se në këtë proces gjyqësor do të të vërtetohet përtej çdo dyshimi pafajësia e klientit të tij.
Ai tha se nuk ka asnjë element të veprës penale nga i mbrojturi i tij në grupin kriminal, kurse lidhur me veprën e dytë penale deklaroi se e vlerësojnë si raport juridiko-civil, andaj edhe do të vërtetohet pafajësia e të akuzuarit Haxhiu.
Tuje, mbrojtësi i të akuzuarit Aleksandar Kostiq, avokati Abdi Dinaj tha se në aktakuzën e ngritur askund nuk theksohet se cilat janë standardet që kinse nuk janë përmbushur me rastin e pranimit teknik nga i mbrojturi i tij.
Ai tha se i mbrojturi i tij me daljen në terren ka konstatuar se punët janë kryer dhe ka bërë nënshkrimin e procesverbalit dhe se sipas tij ato punë qëndrojnë edhe sot, andaj do të vërtetohet pafajësia të akuzuarit Kostiq.
Ndërkaq, mbrojtësi i të akuzuarit Çedomir Timotijeviq, avokati me autorizim zëvendësues Visar Gorani, tha se prokuroria tenton t’i argumentojë veprimet e përshkruara në aktakuzë me dy prova kryesore.
‘‘Raporti i komisionit të komunës së Leposaviqit, komision që përbëhet nga grup njerëzisht nga kryetari i komunës, me mendimin tonë me prapavijë politike dhe komision të cilit ne nuk ia njohim ekspertizën profesionale si dhe teknikat e përdorura për përpilim e këtij raporti dhe se sa të njëjtat janë koherente dhe të aplikueshme për vërtetimin e fakteve të përpilimit të këtij raporti si dhe kontratat kornizë’’, tha avokati Gorani.
Sipas tij kjo aktakuzë është e pa përmbushur profesionalisht dhe e pabazua për faktin se bazohet në provën e raportit të një komisioni me ngjyrime politike.
Ai tha se për të mbrojturin e tij nuk provohet se ka tejkaluar autorizimet e tij e as nuk gjendet asnjë shumë e dobisë pasurore që ai mund të kishte përfituar.
Tutje, mbrojtësja e të akuzuarit Mensur Rama, avokate Emine Kaqiku tha se do të vërtetohet se nuk ekzistojnë elementet qenësore të veprës penale për të cilat i mbrojturi i saj akuzohet.
Sipas saj, pasi që i mbrojturi i saj ka qenë organ mbikëqyrës gjatë fazës së parë, do të vërtetohet se punët e asaj faze kanë përfunduar sipas standardeve ndërtimore.
Po ashtu, kjo sipas saj do të dëshmohet nga raportet mbikëqyrëse, dëgjimi i dëshmitarëve, dalja në vendin e ngjarjes dhe foto-dokumentacioni.
Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Mirosllav Ivanoviq, avokati Agim Lushta deklaroi se është evidente se në këtë çështje nuk ka pasur dhe nuk ka krim të organizuar.
Ai tha se i mbrojturi i tij ka hyrë në punët e fazës së dytë dhe ka dal nga detyre para se kjo fazë të përfundon, andaj sipas tij shumica e objekteve janë ndërtuar.
Avokati Lushta tha se do të vërtetohet se i mbrojturi i tij është i pafajshëm edhe me daljen në vendin e ngjarjes.
Në vazhdim, mbrojtësi i të akuzuarit Bojan Banoviq, avokati Arianit Koci tha se prova kryesore e prokurorisë është raporti i komisionit të Komunës së Leposaviqit, sipas tij i formuar nga kryetari i tanishëm i kësaj komune Zoran Todiq,
‘‘I njëjti me 11 tetor 2021 deklaron ‘‘në vendet ku banojnë serbët në Kosovë, udhëhiqet politika e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuqiq’’. Zoran Todiq përveç që është kryetar i komunës pranë organeve të Kosovës është edhe kryetar i organit të ashtuquajtur të përkohshëm i emëruar nga Republika e Serbisë’’, tha avokati Koci.
Sipas tij, Komunën e Leposaviqit deri në vitin 2017 e ka udhëhequr Partia e Serbëve të Kosovës, duke thënë se këta janë të parët që kanë instaluar ligjshmërinë dhe institucionet e Kosovës në veri.
‘‘Në fund të vitit 2017, fiton Lista Serbe, secili prej këtyre përveç shqiptarëve është i kërcënuar, disa e kanë humb vendin e punës, ish-kryetari Jabllanoviq është sulmuar me bombë’’, tha avokati Koci.
Andaj, sipas Kocit, kryetari Todiq ka ngritur këto çështje me qëllim të shkatërrimit të kësaj partie politike.
I njëjti tha se i mbrojturi i tij do të shpallet i pafajshëm për veprat penale që i vihen në barrë pasi që projekti për të cilin akuzohet i njëjti është në rregull si dhe nuk argumentohet me asnjë provë përfitimi i të akuzuarit Banoviq.
Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Nijazi Musliu, avokati Fisnik Sogojeva ka deklaruar se nuk qëndron akuza se i mbrojturi i tij ka marr pjesë aktivisht në veprimtarinë kriminale të grupit të organizuar të përshkruar si në aktakuzë.
Sipas tij, mungon edhe arsyetimi i plotë individual për veprime konkrete dhe të vazhdueshme për veprat që ngarkohen të akuzuarit.
Ai tha se kjo aktakuzë është e paqëndrueshme si në aspektin formal ashtu edhe material andaj gjatë këtij shqyrtimi do të vërtetohet si i mbrojturi i tij është i pafajshëm.
Kurse, mbrojtësja e të akuzuar Ivan Kadiq, avokatja Kimete Krasniqi ka thënë se i mbrojturi i saj nuk ka fare lidhje për veprat për të cilat akuzohet sepse puna e vetme e tij ka qenë si shofer.
Ndërsa, lidhur me nënshkrimin e tij në një prej dokumenteve në shkresat e lëndës, e njëjta tha se i mbrojturi i saj nuk e ka lexuar paraprakisht dhe as sot nuk e di përmbajtjen e atij dokumenti, duke shtuar se e ka nënshkruar me kërkesën e koleges së tij, Jellica Baraq.
E mbrojtësi i të akuzuarës Jellica Baraq, avokati Shyqri Syla tha thënë se do të vërtetohet pa mëdyshje se e mbrojtura e tij nuk kryer veprën penale për të cilën akuzohet dhe se në asnjë rast nuk ka qenë pjesë e grupit kriminal të organizuat.
Sipas tij, aktakuza nuk ka përshkrime se në çfarë mënyre të pandehurit kanë marrë pjesë në grupin kriminal, çfarë marrëveshje kanë pasur apo për cilat vepra penale janë marr vesh si dhe për çfarë përfitimi materiale bëhet fjalë.
Avokati Syla tha se do të vërtetohet se e mbrojtura e tij i ka kryer punët sipas ligjit, udhëzimeve dhe urdhrave të mbikëqyrësit të saj.
Së fundmi, mbrojtësi i të akuzuarit Boban Millovanoviq, avokat Faruk Korenica ka kërkuar që trupi gjykues të e kthej në plotësim aktakuzën e prokurorisë, me arsyetimin se aktakuza nuk ka arsyetimin individual për secilin të akuzuar.
I njëjti shtoi se i mbrojturi i tij pretendohet se është pjesë i grupit kriminal sespse ka qenë i punësuar në kuvendin komunal të Leposaviqit dhe se si anëtar i komisionit për inspektimin e pranimit të pajisjeve e ka nënshkruar raportin me insistimin e të pandehurës Baraq.
Ndryshe, të gjithë të akuzuarit kanë mbështetur fjalët hyrëse të mbrojtësve të tyre.
Seancat e radhës për këtë çështje penale juridike priten të mbahen më 13 dhe 14 tetor 2022.
Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të 13 shtatorit 2021, thuhet se të gjithë të pandehurit aktivisht kanë vepruar si grup i organizuar kriminal, gjatë periudhës kohore 2015-2017, duke kryer vepra të rënda penale dhe duke ditur se do të kontribuojnë në realizimin e veprimtarive kriminale.
I akuzuari Dragan Jabllanoviq akuzohet se e ka organizuar, drejtuar dhe ka mbikëqyr këtë grup, ashtu që pas emërimit në pozitën e kryetarit të Komunës së Leposaviqit, në Komunë i ka punësuar të pandehurit Aleksandar Kostiq, Aleksandar Ackoviq, Cedomir Timotijeviq, Miroslav Ivanoviq, Boban Milovanoviq dhe Ivan Kadiq.
Po ashtu, akuzohet se me vendimin e 2 qershorit 2015, në mënyrë të kundërligjshme për drejtor të Prokurimit në Leposaviq, e ka caktuar të pandehurin Haxhi Bejta, kurse të pandehurit Bojan Banoviq dhe Jellica Baraqi, Jabllanoviq akuzohet se i ka caktuar në detyra të ndryshme në procedurën e prokurimit, ashtu që të gjithë, me qëllim që të përfitojnë dobi financiare për personin tjetër, sipas aktit akuzues me dashje i kanë shpërdorur detyrat zyrtare duke i tejkaluar kompetencat e tyre dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare të tyre.
Tutje në aktakuzë, thuhet se si anëtarë të këtij grupi kriminal nga radhët e personave përgjegjës në organizatat private të biznesit dhe atë me të pandehurit Xhemajl Ferizi nga “Projektuesi”, Haki Haxhiu dhe Mehdi Haxhiu nga “Lirigzoni”, Mensur Rama nga “F.N-ING.I”, dhe Nijazi Musliu nga “Eurometali”, akuzohen se kanë shkelur rregullat e veprimtarisë afariste lidhur me përdorimin e pasurisë së dedikuar për disa projekte të Komunës së Leposaviqit si dhe nenin 6 të Ligjit për Prokurim Publik.
Tutje, sipas aktakuzës, i akuzuari Haxhi Bejta akuzohet se me qëllim që t’i eliminojë operatorët tjerë ekonomik, për Kontratën Publike Kornizë “Furnizimi me material ndërtimor dhe ndërtimi i shtëpive dhe objekteve tjera ndërtimore të nevojshme në Komunën e Leposaviqit” me nr. të Prokurimit 641/1S/002/511, me vlerë të parashikuar prej 2 milionë e 400 mijë euro, e ka ndryshuar dosjen e tenderit, ashtu që në versionin në gjuhën shqipe i ka larguar 18 pozicione me vlerat më të larta dhe 12 pozicione të tjera i ka përshkruar ndryshe nga dosja në gjuhën serbe, duke ia mundësuar operatorit ekonomik – konzorciumit “Projektuesi” SHPK & NP “Bislimi” SHPK, me drejtorin, kushëririn e tij- të pandehurin Xhemajl Ferizi, të fitojë tenderin dhe më 30 korrik 2015, ta nënshkruajë këtë kontratë, për periudhën kohore prej 30 korrik 2015 deri 30 korrik 2018.
Sipas aktit akuzues, i akuzuari Jabllanoviq, ka caktuar organ mbikëqyrës për këtë projekt operatorin ekonomik “F.N.-ING.I”, me të pandehurin Mensur Rama si menaxher i kompanisë, edhe pse ky biznes në atë kohë fare nuk ka qenë i regjistruar, po është regjistruar një javë më vonë.
Mensur Rama akuzohet se duke e shkelur ligjin ka përpiluar raporte të pavërteta të pranimit të punëve dhe furnizimeve për projekte të kontratës duke konstatuar se punimet kanë përfunduar sipas kontratës deri sa në realitet nuk janë kryer fare apo janë kryer në kundërshtim me normat e ndërtimit.
Ndërsa, i akuzuari Aleksandar Ackoviq, akuzohet se në cilësi të Organit Mbikëqyrës për disa projekte, me anëtarët të Komisionit për pranim teknik, të pandehurit Bojan Banoviq dhe Çedomir Timotijeviq, ndërsa për projekt tjetër, si anëtar i këtij komisionit me të pandehurin Bojan Banoviq dhe të pandehurin Aleksandar Kostiq si kryetar, kanë përpiluar raporte të pavërteta me të cilat i kanë pranuar punimet në terren, edhe pse ato punime nuk i kanë përmbushur standardet dhe nuk kanë qenë të realizuara sipas kontratës.
Po ashtu, edhe i akuzuari Mirosllav Ivanoviq në cilësi të menaxherit të projektit, akuzohet se vazhdimisht i ka nënshkruar raportet duke vërtetuar gjendjen e cila nuk ka qenë reale, me ç’rast të njëjtit ia kanë mundësuar operatorit ekonomik “Projektuesi” me të pandehurin Xhemajl Ferizi që për projektet “Rregullimi dhe adaptimi i hapësirës në objektin e varrezave në fshatin Koshutice”, “Ndërtimi i depos në Leshak”, “Ndërtimi i qendrës sportive në lagjen Trepça.” “Ndërtimi i sheshit të lojërave për fëmijë në rr. Dositej Obradoviq” në mënyrë të kundërligishme të përfitojë dobi pasurore në shumë prej 162 mijë e 685 euro e 31 centë, si dhe shumën prej 246 mijë e 28 euro e 42 centë për projektin “Ndërtimi i pishinës në qytet në Komunën e Leposaviqit”.
Tutje, në aktakuzë thuhet se për kontratën kornizë “Asfaltimi i rrugëve në qytet dhe fshatra në Komunën e Leposaviqit”, me vlerë të parashikuar prej 3 milionë euro, me nr. të prokurimit 641/15/001/511 për periudhën 27 tetor 2015 – 27 tetor 2018, të nënshkruar me konzorciumin SHPK “Lirigzoni” & NNP “Bislimi” me drejtorin – të pandehurin Mehdi Haxhiu dhe pronar të pandehurin Haki Haxhiu, iu është mundësuar përfitimi në mënyrë të kundërligjshme shuma prej 1 milion e 647 mijë e 244 euro e 1 cent.
Kjo sepse, sipas aktit akuzues i pandehuri Aleksandar Ackoviq si Organ Mbikëqyrës, i pandehuri Aleksandar Kostiq, si kryetar i Komisionit të Pranimit Teknik, me të pandehurit Bojan Banoviq dhe Çedomir Timotijeviq, si anëtarë, për 8 akse rrugore të financuara nga Bashkësia Evropiane dhe për projektin “Ndërtimi i ndriçimit rrugor në Leposaviq, Leshko dhe Soqanicë”, Aleksandar Kostiq si Projekt Menaxher, Aleksandar Ackoviq Organ Mbikëqyrës, si dhe Bojan Banoviq dhe Cedomir Timotijeviq – Komision për Pranim Teknik, duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, kanë nënshkruar raporte të pavërteta për punimet të cilat nuk kanë qenë të realizuara sipas kontratës.
Ndërsa, në aktakuzë thuhet se për kontratën “Furnizimi me pajisje për filtrimin e ujit në pishinat e qendrës sportive në Leposaviq”, me vlerë të parashikuar prej 200 mijë euro, me afat vetëm dy-ditor të dorëzimit të pajisjeve, të nënshkruar më 20 dhjetor 2016 me konzorciumin “Eurometal” SHPK & “Kruzni Tok”, me drejtorin Nijazi Musliu, atë të njëjtën ditë i pandehuri Jabllanoviq e ka caktuar të pandehurin Ivan Kadiq për menaxher të projektit, e dy ditë më vonë, më 22 dhjetor 2016, e pandehura Jellica Baraq, si menaxhere e Prokurimit, sipas urdhrit të të pandehurit Jabllanoviq, e ka përgatitur raportin e pavërtetë sipas të cilit konstatohet se pajisjet janë pranuar dhe propozohet që operatorit ekonomik t’i bëhet pagesa.
Tutje, sipas aktit akuzues, ky raport është prezantuar anëtareve të Komisionit për Inspektimin dhe Pranimin e Pajisjeve – të pandehurve Boban Millovanoviq, Alleksandar Ackoviq dhe Cedomir Timotijeviq, të cilët e kanë nënshkruar, duke i mundësuar operatorit ekonomik “Eurometal”, dhe të pandehurit Nijazi Musliu që më 20 mars 2017, në mënyrë të kundërligjshme në Raiffesen Bank të pranojë shumën prej 163 mijë e 573 euro e 20 centë.
Si dhe i pandehuri Dragan Jabllanoviq, akuzohet se më 9 nëntor 2017, në zyrat e Autoritetit Përmbarues “Alea” gjatë seancës dëgjimore, sipas dy kërkesave të Kompanisë “Lirigzoni”, të 26 tetorit 2017, dhe atë njëra për shumën prej 628 mijë e 990 euro e 21 centë dhe tjetra për 2 milionë e 611 mijë e 242 euro, si dhe sipas kërkesës së Kompanisë “Projektuesi” të 10 tetorit 2017 për pagimin e borxhit të pretenduar në shumë prej 197 mijë e 100 euro, i njëjti ka lidhur marrëveshje me përfaqësuesit e kreditorëve, të pandehurit Haki Haxhiu dhe Xhemajl Ferizi, duke i aprovuar në tërësi të gjitha kërkesat e tyre, edhe pse borxhi nuk ka ekzistuar.
Me këtë, i pandehuri Dragan Jabllanoviq po akuzohet se ka kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal” të organizuar nga neni 283, par. 2 të KPRK lidhur me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK.
Të pandehurit Haxhi Bejta, Aleksandar Ackoviq, Aleksandar Kostiq, Cedomir Timotijeviq, Bojan Banoviq, Mirosllav Ivanoviq, Ivan Kadiq, Boban Millovanoviq dhe Jellica Baraq, akuzohen se e kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283, par. 1 të KPRK lidhur me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK.
Ndërsa, të pandehurit Xhemajl Ferizi, Haki Haxhiu, Mehdi Haxhiu, Mensur Rama dhe Nijazi Musliu, akuzohen se e kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283, par. 1 të KPRK lidhur me veprën penale “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike” nga neni 290, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 nën paragrafi 1.5 të KPRK.
Vepra penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283, paragrafi 1 të KPRK-së dënohet me gjobë deri në 250 mijë euro dhe me burgim prej së paku shtatë vjet, ndërsa sipas paragrafit 2 të këtij neni, kjo vepër dënohet me gjobë deri në 500 mijë euro dhe me burgim prej së paku 10 vjet.
Kurse, vepra penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet, kurse vepra penale “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike” nga neni 290, paragrafi 2 dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet, raporton BetimipërDrejtesi.